Ferma e hashashit në Berat, caktohet arrest me burg për nëntë persona nën hetim! Çfarë zbuluan hetimet e SPAK

25/04/2024 15:25

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë të SPAK, ka caktuar masën ‘arrest me burg’ për nëntë persona të vënë nën hetim për prodhim dhe shitja të lëndëve narkotikëve, dhe grup i strukturuar kriminal në lidhje me fermën e hashashit që u zbulua dy vite më parë në Berat.

Në 24 prill është bërë arrestimi i gjashtë prej tyre:  S.H. banues në Koplik, Malësi e Madhe;   A.V. banues në Drenovicë, Berat; M.M. banues në Gruemirë, Malësi e Madhe;  L.B. banues në Demiraj, Malësi e Madhe; S.S. banues në Demiraj, Malësi e Madhe; A.Ç. banues në Vodëz, Kuçovë, Berat.

Ndërkohë është bërë shpallja në kërkim për tre persona të tjerë, pasi gjatë kontrolleve nuk janë gjetur në banesë.

Sot, njofton gjykata, është bërë kontroll në banesat e nëntë personave të tjerë të vënë nën hetim, ku u gjetën dhe u sekuestruan 30 kubikë me fidanë kanabisi dhe fara kanabisi të kultivuara në ambient të mbyllur brenda njësisë së banimit, në katin e tretë, ku kishte instalime elektrike dhe pajisje elektrike (llampa) dhe mushama reflektuese. Gjithsej, u sekuestruan 33 aparate celularë të llojeve e modeleve të ndryshme, 1 DVR, 1 laptop, 1 kartë memorie dhe 5 automjete.

Nga hetimet rezulton se të dyshuarit, në bashkëveprim në grup të strukturuar kriminal, në muajt maj/qershor 2022, morën me qira tokën në Rërëz të Beratit, ku më pas ngritën serat, instaluan një linjë furnizimi me ujë dhe një linjë me instalim të pajisjeve elektrike, dhe me të gjitha pajisjet e duhura, për kultivimin e bimës cannabis sativa, e ndërsa në periudhën shtator-tetor-nëntor, organizuan punën për procesin e tharjes, pastrimit e paketimit të sasive të lëndës narkotike, me qëllim shitjen e mëtejshme të tyre.

Të arrestuarit janë të dyshuar për serën ku kultivoheshin bimë narkotike, e cila u zbulua në 10 nëntor 2022 në Berat. Në katër sera të mbyllura me plastmas, u gjetën 769 arka plastike, 11 thasë plastmasi të zinj, të mbushur me material bimor lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale 871.4 kg, kërcej bimësh e pleh kimik, peshore elektronike, gërshërë metalike, dyshekë e jorganë, armë zjarri, aparate celularë.

Serra ku ishte ndërtuar kapanoni ku përpunohej droga ishte në pronësi te Hamdi Dylit, e cila ishte ndarë në 4 pjesë, ku 95 gratë e punësuara pastronin çdo ditë lëndën narkotike të tharë që ua sillnin me furgon.

Punëtoret të cilat ishin të moshave të ndryshme deri 75 vjeç, thanë se janë punësuar jo në të njëjtën kohë, ku pjesa më e madhe kishte 20 ditë që punonin. Lënda narkotike e tharë vinte me furgon, punëtoret e pastronin e paketonin dhe furgoni sërish e merrte.

Top Channel