Bardhi dorëzon në “Kushtetuese” padinë e 44 deputetëve për mandatin e Xhaçkës, i përgjigjet edhe Bashës: Ai e di shumë mirë përse nuk firmosi

24/04/2024 12:57
Gazment Bardhi

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese padinë kundër vendimit të Kuvendit të marrë për të mos çuar për shqyrtrim në “Kushtetuese” mandatin e Olta Xhaçkës.

“Sot së bashku me kolegët e grupit parlamentar kemi depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e 44 deputetëve të opozitës kundër vendimit politik të Edi RAMËS për t’I dhënë mbrojtje nga drejtësia bashkëpunëtores së tij Olta Xhaçka. Për herë të parë në historinë e pluralizmit në vend, Kuvendi ka shpallur veten sovran ndaj vendimeve të GJK”- tha Bardhi.

Mes të tjerash ai iu përgjigj edhe deklaratave të bëra nga Lulzim Basha i cili tha se me një kërkesë të tillë, vetëm mbrohet qeveria.

“Basha edhe pse nuk do doja të merresha me të, se do doja të flisja për gjëra serioze jo për individë që flasin me veten. Basha nuk ka firmosur as herën e parë për mandatin e Xhaçkës dhe arsyet i di shumë mirë. Pyesni Bashën kush janë bashkëpunëtorët e tij që kanë miqësi me të dhe i kanë ndërhyrë që të mos firmosë kërkesën”- shtoi Bardhi.

Sipas kërkesës së zbardhur të fimosur nga 44 deputetë, vendimi i Kuvendit për të mos dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen për shqyrtimin e mandatit të Olta Xhaçkës është antikushtetues për arsyet e mëposhtme të cilat janë cituar në dokumentin zyrtar të depozituar sot në Gjykatën Kushtetuese:

(i). Bie ndesh me parimin e ndarjes dhe balancës mes pushteteve, si dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur mosmarrëveshjet kushtetuese/bërë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, duke cenuar nenet 4, 7, 124, 131/1/e dhe 132 të Kushtetutës.

(ii). Bie ndesh me të drejtën e 1/10 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për të inicuar një proces kushtetues të kontrollit të papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti të vetë Kuvendit të Shqipërisë, duke cenuar nenin 70, pika 4 e Kushtetutës dhe duke krijuar konflikt kompetencash midis shumicës dhe pakicës parlamentare.

(iii). Bie ndesh me nenin 70, pika 1 të Kushtetutës, sepse ka shtrirë efektet e parimit të “mandatit jodetyrues të deputetit” edhe për të bërë të paaplikueshëm detyrimin për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke cenuar nenin 132 të Kushtetutës dhe duke u fshehur pas parimit të parashikuar në nenin 73, pika 1 e Kushtetutës.

Grupi Parlamentar i PD ka kërkuar edhe shqyrtimin me përparësi të kësaj çështje, për shkak se paraqet një interes të lartë publik, për garantimin e parimeve të shtetit të së drejtës, si dhe për të ruajtur autoritetin e Gjykatës Kushtetutese, dhe besimin e publikut tek kjo gjykatë.

44 deputetët e opozitës theksojnë se ky rast merr përmasat e një mbrojtje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK. Nga ky hetim rezulton e provuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur që një tokë bujqësore, me një sipërfaqe në total prej 10.592 m2, e ndodhur në Dhërmi/Vlorë, në pronësi shtet, të tjetërsohet përmes transaksioneve tek të tretët në favor të subjektit privat në pronësi të bashkëshortit të deputetes Olta Xhacka.

Duke e konsideruar të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhacka, duke penguar zbatimin e vendimit nr. 1/2023 të Gjykatës Kushtetutese, deputetët nënshkrues e konsiderojnë këtë një veprim që përbën minim të demokracisë dhe rrënon besimin e qytetarëve tek Gjykata Kushtetuese dhe sistemi i drejtësisë.

Top Channel