Ndihmë për naftë dhe bagëtitë/ Gjirokastra, qarku më i madh blegtoral me 400 mijë bagëti dhe 20 mijë lopë

22/04/2024 12:40

Subvencionet për bujqësinë janë të pamjaftueshme sipas fermerëve dhe blegtorëve në qarkun e Gjirokastrës, ndërsa sipas tyre pengesë bëhet edhe numri i kritereve të kërkuara për mbështetje.

Në mbyllje të fazës së parë të aplikimeve për subvencionet në bujqësi skema më e kërkuar prej fermerëve është ajo e mbështetjes me karburant.

Ekspertët e bujqësisë konfirmojnë se edhe kërkesat për mbështetjen e krerëve të bagëtive të imëta kanë qenë të konsiderueshme. Më pak kërkesa sipas tyre ka pasur për gjedhët, bletarinë, kulturat e pemëtarisë dhe vreshtave.

“Skema e naftës ka qenë ajo me numrin më të lartë të aplikantëve. Shifra deri tani ka arritur në 1384 aplikantë rreth 50 më shumë se viti i kaluar. Presim që të jenë rreth 100 aplikantë fitues më shumë se viti i kaluar.

Skema e blegtorisë gjedhit, të imëta dhe bletarisë kanë pasur interes ndërsa gjithë të tjerat janë me pikatore.”– u shpreh eksperti i Drejtorisë së Bujqësisë Balil Bineri.

Qarku i Gjirokastrës është qarku më i madh blegtoral në vend me rreth 400 mijë krerë të imëta e 20 mijë gjedhë. Përgjatë viteve të fundit baza ushqimore për blegtorinë që hyn mes nevojave kryesore të fermerëve nuk është mundësuar dot prej skemave mbështetëse ekzistuese. Qarku I Gjirokastrës ka rritur në masë sipërfaqen e frutikulturës ndërsa qindra ha tokë e ka tjetërsuar statusin nga kullotë në pemtore duke tkurrur ndjeshëm kullotat dimërore për bagëtitë e për pasojë edhe numrin e tyre.

Në të gjithë qarkun ka rreth 10 mijë koshere bletësh por kriteret për numrin minimal përjashtojnë shumicën e tyre nga skemat mbështetëse. Në tërësi ekspertët mendojnë se skema e subvencionimit ka nevojë të rishikohet në raport me nevojat e rajonit dhe të përshtatet më mirë për sektorët që po marrin zhvillim aktualisht.

Top Channel