Blinken shkon në Kinë, do t’i kërkojë Pekinit të ndërpresë mbështetjen ushtarake për Rusinë

20/04/2024 22:11

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të veprojnë kundër kompanive kineze që mbështesin luftën e Rusisë kundër Ukrainës, tha për gazetarët një zyrtar i lartë amerikan.

Ai tha se kjo është një ndër çështjet që Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do ta trajtojë me udhëheqjen kineze gjatë vizitës së tij në Pekin javën e ardhshme.

Zyrtarët amerikanë kanë reaguar ashpër ndaj asaj që e cilësojnë si ndihmë e Kinës për furnizimin e makinerisë ushtarake ruse pas vështirësive të Kremlinit në pushtimin e Ukrainës. Zyrtarët amerikanë janë shprehur se vazhdimi i mbështetjes për Rusinë përbën një rrezik kryesor në marrëdhëniet e qëndrueshme mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Duke informuar gazetarët në prag të vizitës së planifikuar të zotit Blinken në Shangai dhe Pekin nga data 24 deri më 26 prill, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se marrëdhëniet SHBA-Kinë ishin përmirësuar krahasuar me një vit më parë, kur lidhjet shënuan një pikë të ulët historike, pasi Shtetet e Bashkuara rrëzuan një balonë kineze të dyshuar për spiunazh.

Por përmirësimi i marrëdhënieve nuk nënkupton që Shtetet e Bashkuara të sakrifikojnë kapacitetet e saj për të forcuar aleancat dhe mbrojtur interesat e saj, tha zyrtari.

“Jemi të përgatitur të ndërmarrim hapa të nevojshme kundër firmave që … minojnë rëndë sigurinë si në Ukrainë ashtu edhe në Evropë”, tha zyrtari kur u pyet se si do të vepronte Uashingtoni për të bindur Pekinin që të ndalonte ndihmën për makinerinë ushtarake ruse.

“Kemi treguar gatishmërinë për ta bërë këtë në lidhje me kompani të disa shteteve, jo vetëm kineze”, tha zyrtari, duke vënë në dukje se Rusia kishte forcuar kapacitetin e prodhimit të armëve me ndihmën e Kinës. “Ne do të shprehim qëllimin tonë që Kina ta kufizojë atë mbështetje”, tha zyrtari.

Vizita e zotit Blinken në Kinë do të jetë e para që nga qershori, kur Shtetet e Bashkuara po përpiqeshin të ripërtërinin angazhimet e nivelit të lartë që Pekini filloi t’i kufizonte pas një udhëtimi në Tajvan në vitin 2022 nga ligjvënësja demokrate, Nancy Pelosi, e cila në atë kohë ishte kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve. Kina pretendon se ishulli qeverisur në mënyrë demokratike është pjesë e territorit të saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA