Pranga ish-kryeprokurorit të Malit të Zi! Arrestohet Milivoje Katniç, dyshohet se krijoi organizatë kriminale

14/04/2024 19:56

Ish-kryeprokurori i posaçëm i Malit të Zi, Milivoje Katniç dhe ish-zyrtari i lartë i policisë malazeze, Zoran Lazoviç u arrestuan të dielën me urdhër të Prokurorisë së Posaçme të Malit të Zi.

“Ata akuzohen se kanë krijuar organizatë kriminale dhe kanë shpërdoruar detyrën gjatë kohës që kanë mbajtur funksione zyrtare shpërdorim të detyrës zyrtare”, tha zëdhënësi i Prokurorisë së Posaçme, Vukash Radonjiç.

Ai shtoi gjithashtu se arrestimi i ish-shefit të Prokurorisë së Posaçme dhe ish-ndihmës drejtorit të policisë është bazuar në bashkëpunim me EUROPOL-in.

Katniç dhe Lazoviç do të dërgohen në Prokurorinë e Posaçme për t’u marrë në pyetje së shpejti, ndërsa Kryeministri malazez, Milojko Spajiç e mirëpriti angazhimin e vazhdueshëm të Prokurorisë së Posaçme kundër të gjitha formave të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Milivoje Katniç ishte kryeprokuror posaçëm që nga viti 2015 dhe në atë post ka ardhur nga pozita e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit. Ai u shkarkua në fillim të vitit 2022, një vit e gjysmë pas ndryshimit të qeverisë në Mal të Zi, kur Partia e ish-presidentit malazez, Milo Gjukanoviç, kaloi në opozitë pas tridhjetë vitesh qeverisje. Autoritetet e reja e akuzuan Katniçin për persekutimin e opozitës dhe mbrojtjen e zyrtarëve më të lartë të DPS-së, përfshirë ish-presidentin Gjukanoviç. Katniç ishte prokurori kryesor në rastin e tentativës për “grusht shteti” në vitin 2016, aktakuza e të cilit përfshinte shtetas rusë dhe serbë, si dhe liderët e Frontit Demokratik pro-rus – presidenti aktual të Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiç.

Prokuroria malazeze në dy vitet e fundit ka kryer një sërë arrestimesh të ish-drejtuesve të institucioneve të drejtësisë dhe policisë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA