VIDEO/ Fitorja e pestë radhazi, Milani feston me tris ndaj Lecces

06/04/2024 18:03

Milani kalon pa probleme edhe Leccen, duke regjistruar fitoren e pestë radhazi në Serie A.

Kuqezinjtë triumfuan 3-0 në “San Siro”, dhe për momentin distanca me Interin kryesues është 11 pikë (zikaltrit luajnë të hënën në Udine).

Christian Pulisic zhbllokoi takimin falë një goli shumë të bukur në minutën e gjashtë (asist Chukwueze). Me amerikanin që është ngjitur në kuotën e 10 golave në kampionat.

Në minutën e 20’ erdhi edhe dyfishimi për vendasit. Krosim i Theo Hernandez dhe finalizim me kokë nga Oliver Giroud. Lecce mbeti me dhjetë lojtarë në fundin e pjesës së parë pas daljes me të kuq të malazezit Krstovic.

Për të mbyllur llogaritë mendoi Rafa Leao (57’), i cili shënoi pas vertikalizimit të bukur të Adli. Ylber Ramadani e zhvilloi të plotë sfidën për ekipin nga Salento, ndërkohë që 12 minuta përpara fundit u fut në fushë edhe Medon Berisha.

Serie A/ MILAN-LECCE 3-0 (Pulisic 6′, Giroud 20′, Leao 57′)

78′ Futet në fushë Medon Berisha për Leccen.

64′ Provon Theo Hernandez nga larg, traversa i mohon golin.

57′ Lecce pretendon për penallti, Milani shënon në aksionin pasardhës. Asist i Yacine Adli, finalizim i Rafa Leaos.

44′ Ndërhyrje e rrezikshme e Nikola Krstovic ndaj Samuel Chukwuezes, karton i kuq për sulmuesin malazez. Lecce me dhjetë lojtarë.

20′ Shënon edhe Oliver Giroud me kokë, 2-0 për kuqezinjtë.

6′ Samuel Chukwueze vepron mirë në krahun e djathtë dhe pason për Christian Pulisic. Amerikani zhbllokon takimin me një goditje shumë të bukur.

FORMACIONET ZYRTARE

Milani pret Leccen në “San Siro” me synimin për t’i dhënë vazhdimësi rezultateve pozitive dhe formës së mirë të periudhës së fundit.

Kuqezinjtë kanë forcuar pozitat në vendin e dytë, ndërkohë që numërojnë katër fitore radhazi në kampionati. Dhe gjashtë në total + Europa League.

Stefano Pioli ka konfirmuar Samuel Chukwuezen titullar, me nigerianin që bëri mjaft mirë në Firence kundër Fiorentinës.

Kastriot Dermaku vazhdon të jetë i dëmtuar. Milan-Lecce do të transmetohet live në SuperSport 2 (15:00).

Top Channel