Izraeli bllokon Al Jazeeran: Inkurajon armiqësitë kundër nesh!

02/04/2024 11:47

Nën pretendimin se transmetimet e saj ushqejnë armiqësitë kundër shtetit hebre, parlamenti izraelit i dha dritën jeshile që i lejon qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu të bllokojë transmetimet e televizionit “Al Jazeera” në Izrael.

Ligji i lejon kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe Kabinetit të Sigurisë të ndalojë për 45 ditë veprimtarinë e gazetarëve dhe të bllokojë sinjalin dhe transmetimet e televizionit shtetëror të Katarit Al Jazeera në Izrael. Ky ndalim mund të ripërtërihet dhe do të jetë në fuqi deri në fund të korrikut, ose deri në fund të operacioneve të mëdha ushtarake në Rripin e Gazës.

“Është e pamundur të tolerohet një media, me kredenciale shtypi nga zyra e shtypit e qeverisë dhe me zyra në Izrael, që të veprojë nga brenda kundër nesh, sigurisht në kohë lufte”, deklaroi ministri izraelit i komunikimit, Shlomo Karai. Sipas ligjit qeveria mund të urdhërojë mbylljen e një televizioni, konfiskimin e pajisjeve, heqjen e kanalit nga ofruesit kabllorë dhe satelitorë dhe bllokimin e faqes së tij të internetit, njoftoi faqja izraelite e lajmeve Ynet.

Lajmi ngjalli reagime të menjëhershme. Organizata për lirinë e shtypit “Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve” (Committee to Protect Journalists, CJS) deklaroi se është tejet e shqetësuar lidhur me planet e Izraelit për të bllokuar sinjalin dhe transmetimet e televizionit shtetëror të Katarit. Martinez de la Serna shtoi se “Ligji i jep qeverisë fuqinë për të mbyllur çdo media të huaj që vepron në Izrael, gjë që paraqet një kërcënim të rëndësishëm për mediat ndërkombëtare brenda vendit. Ky hap kontribuon për një klimë vetëcensure dhe armiqësie ndaj shtypit, një prirje e cila është përshkallëzuar që kur filloi lufta Izrael-Gaza”.

Al Jazeera edhe vetë protestoi ndaj vendimit të cilin e cilëson një  “përshkallëzim” që “vjen si pjesë e një serie sulmesh sistematike nga Izraeli për ta këtë televizion të heshtë.” Al Jazeera, e cila raporton 24 orë në ditë gjatë gjithë luftës, i ka kritikuar ashpër operacionet ushtarake të Izraelit në Gazë. Al Jazeera tha se autoritetet izraelite kanë vënë në shënjestër dhe vrarë qëllimisht disa nga gazetarët e saj, ndër ta edhe Samer Abu Daqa dhe Hamza AlDahdoh, të dy të vrarë në Gazë gjatë konfliktit. Izraeli thotë se nuk vë në shënjestër gazetarët.

Top Channel