Të shtënat me armë në Prishtinë/ Shkon në dy numri i të vdekurve, 48-vjeçarja nuk u mbijeton plagëve, ishte kalimtare e rastit

27/03/2024 12:30

Një prej tre të plagosurve një natë më parë në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë ndërroi jetë sot në spital.

Viktima ishte kalimtare e rastit në vendin ku pati të shtëna me armë zjarri, si pasojë e të cilave u vra një 30-vjeçar dhe u plagosën edhe dy të tjerë.

Shefi i Klinikës Intensive, Shaqir Uka tha për KosovaPress tha se gruaja nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

“Fatkeqësisht pacientja që ju i referoheni nuk ka arritur t’i bëjë ballë plagëve që ka pësuar nga arma e zjarrit mbrëmë, përkundër tretmanit mjekësor edhe atij medikamendor dhe atij kirurgjik që e ka marrë dhe pacientja fatkeqësisht ka ndërruar jetë në ora 10:45 në repartin intensiv ku ka qenë tu e marr trajtimin mjekësor”, tha Uka.

Sipas tij në njësinë e Kliniken Intensive kanë pasur vetëm këtë paciente nga incidenti i mbrëmshëm.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj tha se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, makinë dhe prova të tjera materiale të cilat do të shërbejnë për ngjarjen, ndërsa autorët vijojnë të jenë në arrati.

Organet e rendit kanë identifikuar dy të dyshuar, që nga nata e mbrëmshme vazhdojnë të jenë në arrati.

Top Channel