Dy shpërthime të fuqishme tronditën sot Kievin, duke nxitur autoritetet t`i bëjnë thirrje banorëve të vrapojnë nëpër vendstrehime.
Gjatë natës, Rusia ndërmori një sulm masiv ndaj vendit me avionë bombardues e një flotë jo të vogël dronësh, ndërsa Ukraina pretendon nga ana e saj se ka goditur dy anije ruse në Sebastopoli të Krimesë. Shënjestra e Moskës ka qenë sërish infrastruktura energjetike e vendit fqinj, që ka sjellë balck out në disa rajone.
Më rëndë u godit Mikolaiv, kryebashkiaku i të cilit Oleksandr Sienkevych, shkroi në Telegram se 11 civilë u plagosën dhe disa ndërtesa banimi u dëmtuan nga goditjet. Një sulm rus me dronë në qytetin e portit të Detit të Zi, Odesa, shkaktoi po ashtu ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike. “Infrastruktura energjetike është dëmtuar”, shkroi Oleh Kiper, kryetar i administratës ushtarake rajonale. “Nuk ka furnizim me energji në portin e Odesas. Rusia i ka përshkallëzuar së fundi sulmet ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës në ditët e fundit e të shtunën, zyrtarët në Kiev raportuan se më shumë se 1 milion civilë kanë mbetur në errësirë.
Për të kompensuar humbjet, vendi është detyruar të rrisë importin e energjisë nga Europa. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se 11 dronë ukrainas janë “pikasur” mbi rajonin jugor rus, Rostov. Guvernatori i këtij rajoni, Vasily Golubev, postoi një video në Telegram ku shihej një zjarr duke shpërthyer në një termocentral të madh atje teksa vendasit kishin raportuar për disa shpërthime në zonë.
Kanë shkaktuar sakaq shqetësim edhe pretendimet e Polonisë se një raketë e lëshuar prej forcave ruse gjatë bombardimeve në Ukrainë kaloi mbi hapësirën e saj ajrore pranë qytetit Oserdow, në një fluturim të zgjatur 39 sekonda.
Top Channel