Rikthehen tensionet greko-turke! Athina zyrtare reagon ashpër ndaj deklaratave të Erdogan për Qipron: Po shtrembërohet…

19/03/2024 13:45

Rikthehen përsëri tensionet greko-turke. Athina zyrtare ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në lidhje me Qipron.

Dje lideri turk në një fjalim që Greqia e quan tepër sfidues , e ka quajtur operacionin pushtues të forcave turke në Qipro në vitin 1974 si një “operacion paqeje”.

Presidenti Erdogan që mori pjesë në një drekë me oficerë të ushtrisë turke , gjatë fjalimit të tij pasi përshëndeti pjesëtarët e “ushtrisë heroike turke që shërben në të gjithë vendin dhe jashtë tij “, jo vetëm mbrojti pushtimin turk të Qipros, por shkoi edhe më tej duke pohuar se nëse forcat turke do të kishin lëvizur më në jug në vitin 1974, atëherë Qiproja mund të ishte sot e gjitha turke.

Shprehimisht Recep Tayyip Erdogan deklaroi: “Gjysmë shekulli më parë, turqit qipriotë u kthyen nga pragu i një gjenocidi. Në operacionin paqeruajtës të vitit 1974 ranë martirë 498 ushtarë tanë nga të gjitha zonat e vendit, oficerë, nënoficerë dhe civilë. Me gjithë presionet, nëse nuk do të ishte ndërhyrja e Turqisë, sot nuk do të ekzistonin as Republika Turke e Qipros Veriore dhe as turqit qipriotë. Në fakt, ndoshta nëse do të kishim bërër presion drejt jugut, nuk do të kishte më Jug dhe Veri dhe Qiproja do të ishte plotësisht e jona”.

Deklaratat e presidentit turk për pushtimin e paligjshëm të Qipros në vitin 1974 përbëjnë një shtrembërim të dukshëm të së vërtetës historike dhe një fyerje për kujtimin e viktimave”, nënvizojnë burime diplomatike greke. ”Aq më tepër kur deklaratat bëhen në një kohë kur ka një përpjekje të vazhdueshme nën kujdesin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të rifilluar bisedimet për zgjidhjen e çështjes qiiprote në kuadër të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së” -shprehen burimet e Ministrisë së Jashtme në Athinë.

Top Channel