Iu komunikua akuza “shpërdorim detyre”, Beqaj nga SPAK: Të vërtetën time do ta përballoj në gjykata, në 50 muaj prokuroria nuk hetoi…

18/03/2024 18:30

SPAK e nisi javën me Ilir Beqajn të cilit si ish-ministër i shëndetësisë i komunikoi akuzën e shpërdorimit të detyrës gjatë procedurave për dhënien me koncesion të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me një vlerë prej gati 100 milionë euro.

Për ish-funksionarin Beqaj më herët një gjyqtar paraprak i kishte sugjeruar SPAK hetime më të thelluara, mes tyre edhe hetimin pasuror, dhe  me mbylljen e hetimeve ish-ministri i Shëndetësisë do të gjykohet me të njëjtën masë atë të detyrimit me paraqitje dhe ndalimit për të dalë jashtë vendit

Së bashku me Beqajn u zyrtarizuan akuza edhe ndaj ish-zëvendës ministrit të shëndetësisë  Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, ky i fundit i akuzuar edhe për mashtrim.

“Përfundoi hetimi dhe u mora si i pandehur për shpërdorim detyre, në bashkëpunim. SPAK duhet ta kishte nisur vlerësimin e punës time me përmbushjen e ligjit dhe Kushtetutës, pasi garantimin e kujdesit shëndetësor nga veriu në jug për qytetarët, e kam pasur detyrim dhe mision. Të përdorësh me eficencë fondet e shtetit, është detyrë. Por për një ministër Shëndetësie, është detyrë kryesore të shkurtosh harxhimet. SPAK në 50 muaj nuk ia doli që të hetojë dy çështje që ka Sterilizimi: uljen e ditëve të qëndrimit të pacientëve në spital, dhe uljen e ditëve të marrjes së antibiotikut në spital. Nëse do të kishin bërë këtë vlerësim, konvertimi i këtyre kursimeve në para, do ta nxjerrë një proces në përfitim për financat publike dhe për xhepat e qytetarëve. Kjo do të thotë që mos ta kesh kuptuar se çfarë ke hetuar.

SPAK nuk e mori fare mundimin që të hetonte këtë gjë. Kisha detyrim që ta vë në punë sterilizimin. Shqiptarët janë operuar në kushte të sigurta. Prokurorët nuk ishin në gjendje që të bënin dy vlerësime, vlera e parasë dhe si është materializuar ndarja publik-privat. Ua dhamë me koncesion Sterilizimin që t’u shërbenim më mirë shqiptarëve. Të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë ku do dalë e vërteta e përfitimit që ka përfituar çdo shqiptar”, u shpreh ai.

Duke nisur nga akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit në mbyllje të hetimit për sterilizimin janë edhe anëtarët e komisionit si Arben Gjata, Genc Burazeri, Marsela Serjanaj, Naile Ajazi dhe Petro Mersini, si dhe Saimir Kadiu. SPAK thotë se shkeljet e kryera gjatë koncensionarit nis me të dhënat të rreme dhe në kundërshtim me ligjin të studimit të fizibilitetit, paracaktimin e kompanisë që do të fitonte koncensionarin , një shoqëri që zotërohej nga miku i të akuzuarve Ilir Rrapaj.

Top Channel