Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, e vlerëson të qetë por ende të brishtë situatën e sigurisë pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të Kosovës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Ulutas tha se KFOR-i po vazhdon përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim ndërsa mbetet i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide që mund të ndodhë. Ai tha se sulmi i 29 majit mbi trupat e KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri ishin të paprovokuara dhe të papranueshme, duke bërë thirrje që autorët e një dhune të tillë të mbahen përgjegjës.
Zëri i Amerikës: Zoti Ulutas së pari faleminderit për kohën tuaj dhe mundësinë për të realizuar këtë intervistë. Do të doja fillimisht të ju pyes për vlerësimin tuaj mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe cilat janë sfidat kryesore për misionin e KFOR-it këtë vit?
Ozkan Ulutas: Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne jemi duke ndjekur nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, duke përfshirë veriun e Kosovës dhe posaçërisht në disa komuna atje, përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile, që përfshin patrullime të rregullta dhe angazhim me komunitetet lokale. Pas rritjes së tensioneve vitin e kaluar, NATO-ja ka vendosur qindra trupa shtesë. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe zonën përgjatë vijës administrative të kufirit. Misioni ynë aktualisht numëron rreth katër mijë e 600 trupa, nga 28 vende kontribuuese, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni i KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Një nga përparësitë tona është të ndërtojmë marrëdhënie dhe të përpiqemi të kuptojmë shqetësimet e banorëve lokalë dhe perceptimin e tyre mbi sigurinë. Ky është çelësi për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe për të kontribuar në qëndrueshmërinë e rajonit. KFOR-i gjithashtu vazhdon të krijojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi sfidave të mundshme, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë. Ne vazhdojmë të veprojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, me të cilët ne bashkëpunojmë dhe bashkërendohemi në mënyrë të rregullt.
Zëri i Amerikës: Zoti Ulutas, shumë udhëheqës dhe ekspertë nga rajoni janë duke folur mbi rrezikun nga përshkallëzimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si i komentoni ju këto shqetwsime?
Ozkan Ulutas: Si komandant i KFOR-it, unë i marr shumë seriozisht shqetësimet e tyre. Ne jemi duke vëzhguar nga afër çdo zhvillim të sigurisë në rajon. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Ne kemi një marrëdhënie të gjatë tashmë me të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë zonë. Ne angazhohemi me ta në baza të rregullta. Ne e dimë se të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dëshirojnë dhe meritojnë paqe dhe siguri të qëndrueshme. Siç tha edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, nëntorin e kaluar, “qëndrueshmëria në rajon varet nga të gjitha palët që duhet të zgjedhin diplomacinë mbi dhunën. NATO-ja mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Të dyja palët duhet të angazhohen në mirëbesim. Kjo është e vetmja mënyrë për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.
Zëri i Amerikës: Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, paralajmëroi në dhjetor të vitit të kaluar se aleanca po shqyrton shtimin e një pranie të përhershme të trupave në Kosovë. Ju si e shihni këtë, a rekomandoni një rritje të përhershme të numrit të trupave dhe cili do të ishte qëllimi i tyre?
Ozkan Ulutas: Misioni jonë aktualisht përbëhet prej rreth katër mijë e 600 trupash, nga 28 vende, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Megjithatë, ne vazhdimisht rishqyrtojmë praninë tonë dhe jemi gjithmonë të gatshëm ta ndryshojmë atë sipas nevojës ose sido që të jetë e përshtatshme. Pas tensioneve vitin e kaluar, NATO vendosi rreth një mijë trupa shtesë në Kosovë. Vendosja e këtyre trupave shtesë ishte një hap i kujdesshëm i ndërmarrë për të siguruar që ne mund të vazhdojmë të zbatojmë mandatin tonë për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, vitin e kaluar pati shumë tensione, sidomos në pjesën veriore të Kosovës. Cili është vlerësimi juaj mbi atë që ndodhi në Banjskë shtatorin e kaluar dhe cili ishte synimi i këtij sulmi sipas këndvështrimit të KFOR-it?
Ozkan Ulutas: Para së gjithash, sulmi i 29 majit mbi trupat e KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri të Kosovës kundër Policisë së Kosovës ishin të paprovokuara dhe të papranueshme. Autorët e një dhune të tillë duhet të mbahen përgjegjës. Ne u kemi kërkuar autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që të kryejnë hetimet e nevojshme ligjore për të vërtetuar faktet dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë. Të gjitha këto qëndrime u shprehën shumë qartë edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë udhëtimit të tij në rajon nëntorin e kaluar. Nën hijen e dhunës, NATO vendosi rreth një mijë paqeruajtës shtesë dhe armatim më të rëndë në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë dhe kjo tregon se NATO-ja është e gatshme të ruajë paqen.
Zëri i Amerikës: Komandant Ulutas, në tetor të vitit të kaluar pati një grumbullim trupash serbe pranë kufirit me Kosovën, që nxiti reagime të shumta. Ju keni komunikim të vazhdueshëm me ushtrinë serbe, cila ishte përgjigja e tyre dhe cilat janë gjasat për një përshkallëzim të ri?
Ozkan Ulutas: Unë e kam bërë përparësi timen nxitjen e komunikimit dhe bashkërendimit të bazuar në besim. Si komandant i KFOR-it, kam takime të rregullta me shumë njerëz, duke përfshirë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë së Kosovës, shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, shefin e misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit dhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe komunitetin diplomatik. Nuk do të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm, por ajo që mund të them është se ne jemi plotësisht të përqendruar në misionin tonë, nën një mandat të qartë të Kombeve të Bashkuara. Përpjekjet tona janë thelbësore për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për qëndrueshmërinë rajonale. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të punojmë ngushtë me të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe vendorë të përfshirë, për të ulur gjasat e një përshkallëzimi tjetër të tensioneve. Siç tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg, kur vizitoi rajonin nëntorin e kaluar, “qëndrueshmëria varet nga të gjitha palët që duhet të zgjedhin diplomacinë në vend të konfliktit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim dialogun Beograd-Prishtinë duke ofruar kornizën e nevojshme të sigurisë që diplomacia të ecë përpara. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Beogradi dhe Prishtina duhet të ndërmarrin hapa konkret për të shtensionuar situatën dhe të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe qëndrueshmërinë në rajon.
Zëri i Amerikës: Zoti Ulutas, cili është mendimi juaj mbi përfshirjen e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit?
Ozkan Ulutas: Serbia është një partnere afatgjatë e NATO-s, nëpërmjet dialogut politik dhe bashkëpunimit praktik, duke respektuar plotësisht politikën e deklaruar nga Serbia për neutralitet ushtarak. Bashkëpunimi shtrihet në veçanti në fusha të ndryshme, duke përfshirë atë ushtarake dhe shkencore. Për më tepër NATO-ja dhe Serbia kanë zhvilluar ushtrime të përbashkëta ushtarake në të kaluarën. Ne presim të forcojmë edhe më tej bashkëpunimin tonë. Nga këndvështrimi im, si komandant i KFOR-it, do të doja të veçoja kanalin e rregullt të komunikimit që kam me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Mojsiloviç. Ky është çelësi për të siguruar transparencë të ndërsjellë, ndërgjegjësimin për situatën si dhe për të identifikuar paralajmërimet e hershme që na lejojnë të shmangim tensionet e mundshme. Ne jemi duke monitoruar nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë në rajon. KFOR-i ka një prani të shkathët, fleksibile dhe të dukshme në mbarë Kosovën. Ne mbetemi syhapur dhe të përqendruar në zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të mandatit tonë. Ne jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm për të përballuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe ne vazhdojmë të operojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit, (EULEX).
Zëri i Amerikës: Zoti Ulutas, agjencitë amerikanë të zbulimit kanë paralajmëruar në raportin e fundit se ky vit mund të sjellë përplasje të reja ndëretnike në Kosovë. Cili është vlerësimi juaj për tensionet ndëretnike dhe a ka ndërmarrë KFOR-i masa shtesë për të rritur shkallën e sigurisë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë?
Ozkan Ulutas: Siç thash ne mund të përshtatemi me çdo zhvillim të situatës në terren, por qëllimi ynë kryesor është të parandalojmë çdo rrezik për ripërtëritje të dhunës, si dhe të konsolidojmë një kuadër sigurie të favorshëm për dialogun dhe bashkëjetesën paqësore midis të gjitha komuniteteve. Në këtë drejtim, aktivitetet e përditshme të kryera nga njësitë tona patrulluese, ekipet tona të Monitorimit Ndërlidhës dhe personeli ynë i bashkëpunimit civilo-ushtarak janë thelbësore. Pas incidentit të dhunshëm të 24 shtatorit kundër Policisë së Kosovës, tensionet janë shtuar në rajon dhe për pasojë NATO-ja ka vendosur forca rezervë me kapacitete shtesë. Tani jemi duke zhvilluar më shumë aktivitete, veçanërisht në veri të Kosovës. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Zëri i Amerikës: Si e shihni ju përgatitjen ushtarake në Serbi dhe blerjet e bëra së fundmi nga Kosova? A jeni të brengosur se kjo mund t’i vendosë trupat e KFOR-it në mes?
Ozkan Ulutas: Ne mbikëqyrim nga afër çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe qëndrueshmërinë rajonale. Unë dhe të gjitha trupat që shërbejnë nën misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, jemi të përqendruar të kryejnë mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara, të sigurojmë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide që mund të ndodhë, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, të cilët janë reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë.
Top Channel