Disa muaj para olimpiadës, mësuesit francezë protestojnë për gjendjen e sportit në shkolla (fotot)

16/03/2024 19:34

Teksa Olimpiada e Parisit afron, mësuesit francezë të sporteve kanë nisur greva dhe po protestojnë për gjendjen e edukimit fizik në shkollat e vendit.

Ata bëjnë thirrje për katër orë mësim fizkulture në javë për nxënësit e të gjitha moshave, dhe dënojnë mungesën e investimeve në infrastrukturën e sporteve.

Cedric Vassenaix, sekretar i sindikatës së mësuesve të Bouches-du-Rhone tha se nëse qeveria kërkon të japë shembullin e Francës për sportet, duhet të kujdeset për shkollat.

“Përfitojmë nga rasti i Olimpiadës në Francë për të kundërshtuar strategjinë e reklamës së  Macron, që kërkon të përdorë lojrat si një pasqyrë e sporteve në Francë. Ne duam t’i themi se nëse ka vërtet ambicje për të rinjtë dhe sportin nevojiten investime masive te fizkultura dhe orët e sporteve”.

Mësuesi protestues shtonte më tej:

“Ne kërkojmë një plan investimesh pasi infrastruktura e sporteve në shkolla është më shumë se 50 vjeçare, palestrat janë të konsumuara, pa ngrohje dhe duhet të sajojmë mënyrat tona çdo ditë për të bërë mësim”.

Aktivistja e sindikatës së mësuesve Coralie Benech, tha se ndryshimet e qeverisë në progam nuk reflektojnë mbështetje për mësimin e sportit.

“Dy orë shtesë sporti në shkollë të mesme është një turp, sepse këto janë në konkurencë me edukimin fizik dhe nuk bëhen nga mësues fizkulture. Prandaj i themi qeverisë në vend që të nisni iniciativa që konkurrojnë fizkulturën, ju duhet të rrisni kohën e saj dhe të sporteve në mësim”.

Loic Daroussin, mësues 45-vjeçar fizkulture, shtonte për AFP:

“Ne besojmë se nuk kemi orë të mjaftueshme në shkollimin e fëmijëve. Ata bëjnë aktualisht katër orë në javë në ciklin e ulët dhe dy orë në shkollën e mesme. Ne mendojmë se për të edukuar një gjeneratë të shëndetshme të rinjsh nevojiten katër orë në javë në të gjithë ciklin arsimor”.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA