Korrikun e vitit 2021, Ivanka Trump ndaloi për një vizitë 6 ditore në jugun e Shqipërisë, një vizitë private e cila u njoftua vetëm më vonë, gjatë të cilës sikurse u tha, së bashku me të shoqin Jared Kushner kishin përshkuar me jaht të gjithë vijën bregdetare shqiptare, vizituan në Përmet kishën e Leusës, ndërsa ndaluan edhe në Butrint.
Vitin e kaluar, u rikthye sërish e pjesë të ndalesës së saj bëri edhe një admirim nga helikopteri të brigjeve shqiptare.
Riviera e bukur e vendit tonë duket i ka mbetur në mendje vajzës së Donald Trumpit që kërkon të marrë sërish frerët e Shtëpisë së Bardhë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të këtij viti në SHBA. Por duket, interesi që vendi ynë ngjalli, shkonte përtej një admire të thjeshtë momenti, cka e dëshmon qartë artikulli i një dite më parë i Bloomberg, i cili tregoi se kompania e Kushnerit, Affinity Partners, synon tani të realizojë dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri, së bashku me një tjetër në Beograd, vlera e përbashkët e të cilëve mund të kalojë 1 miliard dollarët.
Qëllimi i kompanisë së investimeve të dhëndrit të ish-presidentit amerikan është ta transformojë ishullin e Sazanit, i përdorur deri më vetëm si një baze ushtarake, në një eko-resort luksoz të markës Aman. Vetë sipërmarrësi amerikan pohoi për se “Sazani është një nga vijat bregdetare më të pacënuara dhe unike që kam parë parë kudo në botë”.
Interesi i Affinity është shtrirë gjithashtu deri në zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, duke planifikuar ndërtimin e disa resorteve me afro 10 mijë dhoma hotelesh dhe vila. Kushner ka shërbyer si këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë e pasi e la punën në administratë, ai krijoi kompaninë Affinity Partners, e cila, sipas Bloomberg-ut, zotëron asete prej 3.1 miliardë dollarësh. Kompania ka edhe mbështetjen e investitorëve nga vendet e Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite.
Lidhur me projektet e tij në Shqipëri, Ministria shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit i tha Zërit të Amerikës se kompania e Kushner ka paraqitur një aplikim pranë Agjencisë së Zhvillimit të investimeve “për një projekt turistik në ishullin e Sazanit, si shumë aplikime që bëhen nga investitorë të huaj, dhe lajmi i mirë është që tanimë turizmi ka hyrë në sektorët e interesit të investitorëve të huaj, jo vetëm të shqiptarëve.
Por sipas ligjit, projekti duhet të kalojë në disa shkallë shqyrtimesh, para se të merren vendime, megjithatë, deri sot, një projekt i tillë nuk ka ardhur ende në Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit”.
Top Channel