Dënimi i Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës pas festivalit të 11-të, kompozitori: Na u kërkuan këngë me atmosferë rinore, pretekst që të goditej Sherif Merdani

16/03/2024 16:18

Ishte ndoshta një ndër periudhat më të bukura në vend. Një ngjarje e bukur kishte përfshirë gjithë elementët e kulturës dhe artit në Shqipëri, që nga liberalizmi në veshje, në pamjen e jashtme dhe deri në shëtitjet në bulevardin “Brodway”. Ishte Tirana e fundit të viteve ’60 dhe fillimit të viteve ’70.

E gjithë kjo atmosferë do të merrte fund të Pleniumin e 4-të të PPSH-së në 1973 ku do të bëhej edhe goditja më e madhe kundrejt artit dhe kulturës dhe më pas do të përfshinte edhe aspektet e tjera të jetës.

Enver Hoxha mbajti një fjalim ku theksoi se shfaqjet e huaja, liberale, borgjeze kishin përfshirë çdo shtëpi komunisti dhe duheshin marrë masa që kjo të ndalohej. Kush ishte manifestimi më i mirë i gjithë kësaj? Padyshim, festivali i 11-të.

“Exclusive” në Top Channel sjell dëshmi të personazheve të kohës, të cilët kujtojnë ndryshimet në jetën e Tiranës në ato dy vite.

Enver Gjengjergji, kompozitor: Ky liberalizim fillonte që me radion. Në mëngjes transmetimi niste me këngëtarë nga bota. Tom Johnson, 10 Kitarat, muzikë instrumentale nga bota që sa vinte dhe shtohej.

Ermir Hoxha, studiues: Ndodhi një moment që në vitin 1969 ekspozitat e pranverës që tentuan të ishin ndryshe, jo në temë, jo në stereotipe, por në formë. U ndje një fllad lirie, saqë u duk sikur shtetit po i kalonte para syve pa u vënë re.

Alda Bardhyli, drejtore e QKLL: Ky lloj liberalizmi që kishte filluar të ndihej në muzikë e letërsi, apo në shkrime në gazetat e kohës, do të kishte të bënte me një ikje nga pushteti i socrealizmit.

Spartak Ngjela: Enver Hoxha e kishte si kompleks psikik maninë e tij për Parisin. I kërkoi ndihmë në momentet kur filloi liberalizmi. Ata i thanë “do të përkrahim deri në fund por duhet të bësh disa gjëra”. Dhe ky filloi. E gjithë kjo frymë vazhdoi 2 vjet, deri në janar- shkurt 1973.

Enver Gjengjergji: Festivali i 11-të unë kam bindjen që u lejua të bëhej, u urdhërua të bëhej për të matur se deri ku mund të shkonte ky lloj liberalizimi. Në letrën që na ka ardhur ne thuhej “i dashur kompozitor, fesitvali i 11-të do të predominohet dhe do të jetë kryesisht një festival rinor ku do ti këndohet rinisë, dashurisë së pastër, aksioneve. Nuk ishte si letrat e para kur thuhej ‘nën drejtimin dhe kujdesin e partisë dhe pleniumit do të ketë edhe një këngë për partinë apo Shokun Enver”. Faktikisht këto munguan në atë festival”.

Fajtor kryesor për këtë ishte Komiteti i Partisë së Tiranës, ministria e Arsimit dhe Lidhja e shkrimtarëve. Drejtpërdrejtë u akuzuan Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, i pari Sekretar i Komitetit të Partisë së Tiranës dhe i dyti drejtor i RTSH-së. Qëllimi i tyre sipas Hoxhës ishte goditja e partisë dhe udhëheqjes së saj.

Alda Bardhyli: Në Pleniumin e 4-t Enver Hoxha do të bënte të qartë dhe do të merrte masa ndaj kësaj lëvizje që kishte filluar të kthehej në një frymë, e cila mund të cënonte integritetin dhe parimet e socrealizmit.

Spartak Ngjela: Pas këtij festivali, Enveri i goditi Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën, që ishte mik i afërt me Kadarenë.

Enver Gjengjergji: Ata që e pësuan më rëndë ishin Fadil Paçrami që mund të mos ishte vetëm për festivalin e 11-të, u dënua Todi Lubonja, dhe Sherif Merdani, për të cilin kam bindjen që festivali i 11-të ishte një pretekst për ta dënuar.

Top Channel