Më 22 shtator 2023, u kërkua komision hetimor nga 45 deputetë të Kuvendit për rrjedhjen e të dhënave personale dhe ndërhyrjet në sistemin TIMS.

Vetëm 4 ditë më vonë, më 26 shtator deputetët e Rithemelimit, mbështetës të Sali Berishës, kërkuan hetim për 4 kontratat koncensionare në shëndetësi. Ndërsa në 11 tetor, u kërkua një tjetër komision hetimor për parandalimin e konfliktit të interesit në funksionet publike. Të tre këto kërkesa u refuzuan në mbledhjen e kryetarëve. Por nuk përfundon këtu.

Më tej, u refuzuan edhe Komisioni për çështjen Becheti, për zgjedhjet e 25 prillit, për Investimet Strategjike, dosjen “McGonigal”, marinën e Durrësit dhe udhëtimet me charter të kryeministrit. I vetmi komision i pranuar ishte ai për çështjen e inceneratorëve.

“Ka dalë për arrogancë të shumicës që nuk pranon komisionet hetimore, e cila godet një nga shtyllat e jetës parlamentare, që është kontrolli mbi ekzekutivin, bie poshte ditën që nuk ka komisione hetimore”, u shpreh Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së.

Mazhoranca nuk u ndal vetëm me rrëzimin e kërkesave të opozitës. Më 21 dhjetor 2023, në një seancë kaotike miratoi ndryshimet në ligjin për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore, duke ngushtuar objektin mbi të cilin ngrihet një komision. Një prej pikave më të debatuara është neni 5, ku lë hapësirë që mazhoranca të refuzojë komisionet që kërkon opozita me votë.

“Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e komisionit, kur objekti i hetimit respekton parimet dhe standardet kushtetuese, si më poshtë: a) çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit; b) Objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje ose në subjekte konkrete; c) Duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme, për ekzistencën e çështjes për të cilën kërkohet ngritja e komisionit hetimor”.

“Komisioni hetimor është bërë pothuajse i pamundur, ndërsa efektin e komisionit hetimor e ka bere nul“, u shpreh Flutura Açka, deputete e PD-së.

Top Channel