Gazetari Artan Hoxha deklaroi në “Top Talk se pamjet e kamerave të Kryeministrisë për ngjarjen 21 janarit janë asgjësuar, teksa duhet të ndodhte e kundërta.
Sipas tij të gjitha provat duhet t’i disponoheshin Prokurorisë, pasi ky është një detyrim ligjor.
Hoxha tha se kjo gjë jo vetëm që nuk ndodhi, por prokurorët nuk janë lejuar as të mbledhin gëzhojat pas ngjarjes së 21 janarit.
Juli Xhokaxhi: Ti arrite pas kaq vitesh të sigurosh një përgjim audio. Në një bisedë më përpara më ke thënë që serveri i famshëm i Kryeministrisë, kamerat e sigurisë që u konsideruan të zhdukura, të djegura diku janë, dikush i ka. Sa shance ka që të dalin?
Artan Hoxha: Kjo është një mundësi e mirë për ata që disponojnë ose që kanë informacion se ku ndodhen ato që ta orientojnë SPAK-un për të shkruaj drejt asaj prove. Ky regjistrim që kishim ne nuk do të kishte këtë vlerë që ka sot nëse do të kishte funksionuar DVR-ja e Kryeministrisë. Nëse do të kishte funksionuar pajisja e Gardës së Republikës që regjistron të gjitha komandat që jepen.
Nëse Kryeministria dhe zinxhiri komandues i shtetit të asaj kohe, nuk do të kishin fshirë DVR-në e kamerave të Kryeministrisë dhe nuk do të kishin asgjësuar pajisje që regjistron të gjitha komandat në radio, nuk do të kishte vlerë ky regjistrimi sot. Edhe Garda e Republikës edhe Kryeministria e kanë pasur detyrim ligjor që t’i kishin këto pajisje në funksion dhe t’ia vinin në dispozicion hetimit. Ata jo vetëm që se bënë këtë, por ata nuk lanë prokurorinë të mbledhë gëzhojat brenda gardhit.
Top Channel