Betejat që duhet të fitojnë gratë/ Ambasadorja e Francës: Gratë të përfaqësuara në politikë, por jashtë Tiranës është sfidë

08/03/2024 21:26

8 marsi jo vetëm për një ditë. Në një intervistë për Top Channel ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard ndan urimin e saj për gratë shqiptare dhe tregon betejat e fituara dhe ato që duhen luftuar në të ardhmen.

“Franca ka marrë këto ditë një vendim shumë të guximshëm, aborti një e drejtë kushtetutese. Vendosja në Kushtetutë e kësaj të drejte themelore të grave në lidhje me trupin e tyre është një mesazh shumë i fortë. Ka akoma beteja të tjera për të fituar mbi të drejtat seksuale dhe riprodhuese të grave, lirinë se si të përdorin trupin e tyre, por edhe të drejta të tjera të shumta themelore mbi shëndetin, mbi jetën që shpesh e kanë të rrezikuar. Pra është gjithnjë e nevojshme të luftojmë për një barazi të plotë mes burrave dhe grave. Urimi që mund të bëj është qe kjo krenari për ne të bëhet  një mesazh universal dhe i mbështetur nga të gjithë dhe që e drejta e grave për abort, si të gjitha të drejtat e tjera të grave, të vendoset në të gjitha legjislacionet e vendeve të botës. Ky është urimi im më i mirë për Shqipërinë”, tha Catherine Suard-ambasadore e Francës në Shqipëri.

Diplomacia feministe është në qendër të veprimtarisë  së Ambasadës Franceze, por përtej numrave, a është roli i grave në politikë po aq i fuqishëm sa burrat?

“Mendoj se nuk bëhet fjalë për atë që burrat u lejojnë të bëjnë sepse gratë duhet përpiqen vetë të zënë një vend sa më të madh. Është gjithmonë një betejë dhe asnjëherë një gjë që u është dhënë. Mendoj se gratë në Shqipëri dhe në botë e kanë kuptuar këtë. Kur erdha në Shqipëri u çudita pa masë kur konstatove se në çfarë shkalle të lartë është përfaqësimi i grave në politikë, ndoshta edhe më shumë se në Francë. Por mendoj se aksesi në punësim, në sipërmarrje, në jetën ekonomike, ndoshta në zonat jashtë Tiranës është një sfidë e rëndësishme”, deklaroi Catherine Suard-ambasadore e Francës në Shqipëri.

Mbrojtja e të drejtave të grave duhet të trajtohet  pa diferencime njëjtë si për të drejtat e njeriut , për ambasadoren Suard, teksa shpjegon fushatën në vendin tonë në plan afatgjatë.

“Në një plan më direkt, do të takoj të rinj për të folur pikërisht për produktet e higjienës personale sepse është një temë tabu, për të cilën askush nuk flet, nuk flitet për menstruacionet e grave. Nuk bëhet. Por në fakt është një peshë, një pengesë shumë e rëndë dhe me kosto ekonomike. Shumë gra nuk marrin masat e nevojshme sepse nuk i kanë mundësitë, është e kushtueshme. Kjo është absolutisht e papranueshme, është çështje dinjiteti dhe mund të zgjidhet me masa të thjeshta.  për shembull në Francë, që nga viti 2016 TVSH-ja për produktet e higjienës është ulur shumë, nga 20% që ishte, tani është 5,5%. Kjo është diçka me shumë interes dhe mund të merret në shqyrtim edhe nga Shqipëria. Gëzohem të konstatoj se debati është shtruar tashmë edhe në Shqipëri”, tha Catherine Suard-ambasadore e Francës në Shqipëri.

Top Channel