Kush vjen i vetëm në Lappland, duhet të marrë me vete rroba të ngrohta. Në rrethin polar temperaturat rreth minus 25 gradë Celsius janë krejt të zakonshme. Megjithatë Lisa dhe Paul Förster duan pikërisht këtë.

Shtëpizat e drunjta me xhama në mes të pyjeve pafund mbuluar nga bora janë fole dashurie. Sidomos për çiftet që duan të flenë nën rrezet e dritave marramendëse polare, Aurora Borealis të Finlandës.

Mësuesja nga Gjermania Lisa na thotë, se shpresojnë që t’u shfaqen natën dritat polare. Ndonëse temperaturat janë minus 25 gradë, ajo mendon, se mund ta krijosh vet komoditetin dhe se atmosfera i duket shumë e ngrohtë!

Finlandezja, Rue Niemi, që ka si profesion organizimin e eventeve, tregon se njerëzit vijnë nga gjithë bota për t’u martuar në Lappland. Aktualisht ajo po përgatit sallën për ceremoninë e martesës së një çifti nga Holanda. “Çdo dasmë është e ndryshme. Ky është një vend i magjishëm, perfekt për të bërë fotografi të bukura martese.”

Dhëndëri John duket të jetë nervoz tani para dasmës. Nervoziteti i tij nuk ka të bëjë me dasmën. Por nëse ai arrin të veshë fanellën dhe mbathjet e ngrohta të skive poshtë kostumit të dhëndërisë. “Ne nuk e menduam se do të bënte kaq ftohtë. Kështu që mua më duhet të vesh shumë rroba. Sa jam brenda në dhomë po djersij, por kur të dalim jashtë do ta shohim sa ftohtë bën.”

Nusja Marzena veshur me fustanin e bardhë vjen e shoqëruar nga slitat që tërhiqen prej qenve. Edhe ajo ka ftohtë e është mbështjellë me batanije.

Megjithëse dashuria e tyre është e madhe, në këtë të ftohtë çdo gjë duhet bërë shpejt e shpejt. Martesa zgjat vetëm një çerek ore. Sado e magjishme prej dekorit e dritave është dhoma e akullit, në të nuk mund të qëndrohet më shumë se 15 minuta. Prandaj të gjithë janë të lehtësuar kur më në fund unaza është vënë në gisht.

Nusja thotë, se për fëmijët dhe miqtë e ardhur ky ishte një moment i mrekullueshëm. Por atje brenda ishte shumë ftohtë!

Ndërkohë që turistët e tjerë duan ta kalojnë natën në hapësirë duke shpresuar të kenë fat që të shfaqet Aurora Borealis dhe ata të mund të shijojnë magjinë e dritave polare. Pikërisht ky imazh unik po kthehet në modë për të rinjtë që duan të bëjnë dasmën në Rrethin Polar.

Top Channel