Me pamje nga deti dhe i mbushur me piktura, ja si e kishte lënë ish-kryeprokurori Llalla apartamentin në Durrës para se t’i konfiskohej

05/03/2024 12:34

Me një pamje fantastike mbi det, apartamenti i konfiskuar i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla në plazhin e Durrësit është kthyer në një qendër arti dhe aktivizmi nga “Durrës aktiv”, për të rinjtë që e duan artin dhe janë në kërkim të mundësive të reja.

“Apartamenti ishte boshatisur komplet. Nuk kishte dyer, dritare, as rrjet elektrik. U bë çdo gjë nga fillimi për ta kthyer në një qendër sa më bashkëkohore. Këtu ne synojmë të mbështesim të rinjtë që nuk kanë mundësi ekonomiko-financiare për të siguruar materialet e kushtueshme të artit”, tha Livia Kreko nga Qendra A&A.

Qendra është konceptuar si një sipërmarrje sociale që gjeneron të ardhura përmes artit në dobi të artistëve të rinj.

“Artistët vijnë dhe shfrytëzojnë potencialin e vet për të krijuar produktet e tyre dhe nëpërmjet programit të artit ata mentorohen nga mentori ynë i artit që të nxjerrë në pah aftësitë e tyre për të krijuar dhe promovuar artin e tyre”, tha Kreko.

Elektriçist në profesion, Donaldi është 26 vjecc dhe e sheh artin si një mënyrë për të shprehur veten. Atij i pëlqen arti i fijes, me të cilin ka realizuar, ndër të tjera, dhe figurën e Ismail Qemalit.

“Quhet string art, e kam realizuar vetëm me fije. Në zonat e errëta ka fije më shumë e në ato të hapura më pak për të formuar figurën me anë të numerikës, punë gjeometrike dhe matematike. Është bërë me gozhda, punim e thurje”, u shpreh Donaldi.

Me ardhjen në qendër shpreson që të mësojë dhe përmirësojë teknikat artistike dhe ta kthejë artin e vet në profesion e biznes.

“Mundohem të mësoj sa më shumë gjëra, sa më shumë teknika të arteve të ndryshme. Dita-ditës dua të plotësoj veten time, por ka akoma më shumë për të mësuar”, tha Donald Llaperi.

Shumica e të rinjve që frekuentojnë këtë qendër në oraret e përcaktuara për mentorim, po dhe jashtë tyre, nuk e njohin ish-prokurorin e përgjithshëm, po u pëlqen ideja që tashmë kanë një qendër arti buzë detit.

“Ka shumë gjëra që të frymëzojnë. Është deti dhe ambienti. Ndjehesh komod. Është si një shtëpi. Ka dhe njerëzit”, tha Donaldi.

Dera e kësaj qendre do të vazhdojë të jetë e hapur për këdo gjatë 5 viteve në vazhdim.

“Ndjehemi krenar që në bashkëpunim me të rinjtë që i janë bashkuar grupit tonë po bëjmë diçka të re në qytet dhe kemi kthyer një pronë të konfiskuar në një hapësirë të hapur për komunitetin. Ajo është në shfrytëzim dhe përdorim të komunitetit”, tha specialistja.

Top Channel