“Koha të thyejmë tabunë e monopoleve etnike në shtet”/ Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Osmani: Kemi program dhe strategji

02/03/2024 19:43

Nën ethet e zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, kandidati shqiptar që garon nën siglën e BDI-së, tregon për Top Channel ambicien e tij për t’u ulur në karrigen e kryetarit të shtetit.

Ndonëse ne garë nuk është shqiptari i vetëm, ai është i mendimit se posti i Presidentit nuk duhet të jetë ekskluzivitet  i maqedonasve.

“Është koha që shqiptarët të kenë Presidentin e parë shqiptar dhe të thyejmë tabutë e fundit të monopoleve etnike në shtet. Nëse dhe këtë radhë përsëri  do të votohet  vetëm mbi baza etnike atëherë vërtetë nuk ka arsye pse shqiptarët të marrin pjesë në proceset zgjedhore për të bërë alibinë e zgjedhjeve të cilat janë përjashtuese“, tha Osmani.

Cili do qoftë rezultati i zgjedhjeve, formula sesi duhet te shkohet drejt një Presidenti shqiptar për Bujar Osmanit është e qartë: Zgjedhje e tij përmes Parlamentit.

“Në fakt ka kohë, vite të tëra që ne themi që procesi i zgjedhjes se Presidentit, është i njëanshëm, është monoetnik, është përjashtues dhe shqiptarët nuk janë vendimtar. Unë mendoj se ka një shanc serioz, që me këtë kandidaturë të jepet mundësia që të zgjidhet Presidenti i parë shqiptar në zgjedhje të drejtpërdrejta, nëse jo, atëherë e vetmja mundësi është të bëjmë ndryshime Kushtetuese dhe Presidenti të zgjidhet në Parlament”.

E për ta realizuar këtë objektiv, Osmani thotë se ndryshimi i formulës së zgjedhjes së kreut te shtetit është edhe një nga kushtet e BDI-së për aleancat paszgjedhore,  qoftë edhe me LSDM, forcë politike e cila kërkon t’i japë një mandat tjetër Presidentit në detyrë Stevo Pendarovski.

“E ardhmja e koalicionit do varet prej rezultateve zgjedhore. BDI ka parashtruar vijat e saj te kuqe, janë tre marrëveshjet shtyllë te Maqedonisë së Veriut, e Ohrit, e Prespës dhe fqinjësisë mirë dhe sigurisht zgjedhja e Presidentit ne Parlament”.

Paralelisht me garën presidenciale, Maqedonia e Veriut po bëhet gati për betejën parlamentare, që i hap rrugë formimit  të qeverisë së re, ndërsa deri ditën e zgjedhjeve, ekzekutivi i përkohshëm do të drejtohet nga shqiptari Talat Xhaferri.

INTERVISTA E PLOTË:

ELDA MENGA: Zoti Osmani faleminderit për këtë intervistë për Top Channel. Maqedonia e Veriut është në prag zgjedhjeve. A mund të kishin më shume shanse shqiptarët për të marrë Presidentin në Maqedoni, nëse do të ishin faktor i bashkuar?

BUJAR OSMANI: Ne kemi tentuar për të bërë një gjë  të tillë, kemi adresuar këtë çështje me të gjitha partitë politike që të gjenim një kandidat mbi partiak, por mesa duket zhvillimet në partitë politike opozitare, nevoja për mbijetesë politike, detyroi që të dalin me kandidatë te tyre dhe kjo prishi ato pritshmëritë tona që të kemi një kandidat të përbashkët. Sidoqoftë, kujtojmë se ideja në të cilën dalim është përbashkuese, dhe i tejkalon kufijtë partiak për shkak se ne dalim me një ide që të ndryshojë koncepti i zgjedhjes së Presidentit, meqë në 30 vitet e fundit ky koncept ka qenë burim krizash, dhe jo zgjidhje krizash.

ELDA MENGA: Përse vendoset të kandidonit, duke marrë parasysh faktin e aleancës që kanë patur BDI me LSDM, e cila kërkon të rikonfirmojë Presidentin aktual Pendarovski. A nënkupton kjo një krisje?

BUJAR OSMANI: Në fakt, ka kohë, vite të tëra, që ne themi që procesi i zgjedhjes së Presidentit, është i njëanshëm, është monoetnik, është përjashtuar dhe shqiptarët nuk janë vendimtarë. Argumentet nga të tjerët kanë qenë se shqiptarët duhet të dalin me një kandidat kompetitiv dhe sigurisht se do të thyhen dhe vijat etnike në votim. BDI del tani me një kandidat. Jam i vetmi që kam eksperiencë ndërkombëtare dhe vendore, në krahasim me kandidatët e tjerë. Nëse dhe këtë radhë përsëri do të votohet vetëm mbi baza etnike, atëherë vërtetë nuk ka arsye pse shqiptarët të marrin pjesë në proceset zgjedhore për të bërë alibinë e zgjedhjeve, të cilat janë përjashtuese, dhe prandaj menjëherë nisim iniciativën për ndryshime Kushtetuese, që Presidenti të zgjidhet në Parlament. Mirëpo, kjo është një mundësi e fundit, që të reflektojmë të gjithë dhe të tejkalojmë vijat etnike në zgjedhjen e Presidentit, meqë roli  i Presidentit është unifikues, të jetë ndërlidhës ndërmjet komuniteteve, dhe prandaj kujtoj që ka një mundësi. Unë shoh reagimin e të gjitha komuniteteve, të cilët për shkak edhe të rolit tim në proceset kyçe te Integrimit Europian dhe të anëtarësimit në NATO, shohin një gardian të orientimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, por natyrisht edhe ideja mbi këtë referendum për zgjedhjen e Presidentit në Parlament, janë joshës për një plebishit edhe te shqiptarëve, por edhe komuniteteve te tjera. Tani, mandati ka përfunduar dhe ne kërkojmë mbështetjen e qytetarëve përsëri. BDI ka programin e vet, strategjinë dhe misionin e vet për Maqedoninë e Veriut, dhe ne mendojmë se ashtu sikurse kemi qenë parti shtetformuese, e cila në pikat më të rëndësishme të zhvillimit të shtetit kemi qenë përcaktues, tani edhe në Presidencë, është koha që shqiptarët të kenë Presidentin e parë shqiptar dhe të thyejmë tabutë e fundit të monopoleve etnike në shtet. E ardhmja e koalicionit do të varet prej rezultateve zgjedhore. BDI ka parashtruar vijat e saj të kuqe, janë tre marrëveshjet shtyllë te Maqedonisë së Veriut, e Ohrit, e Prespës dhe fqinjësisë mirë dhe sigurisht zgjedhja e Presidentit në Parlament. Unë mendoj se ka një shans serioz, që me këtë kandidaturë të jepet mundësia që të zgjidhet presidenti i parë shqiptar në zgjedhje te drejtpërdrejta nëse jo atëherë e vetmja mundësi është të bëjmë ndryshimet Kushtetuese dhe Presidenti te zgjidhet në Parlament.

ELDA MENGA: Ju keni keni mbajtur postin e ministrit të Jashtëm me  Kryeministër maqedonas, si është të punosh me Kryeministër shqiptar, zotin Talat Xhaferrin?

BUJAR OSMANI:  Kjo ka qenë edhe ideja, të normalizohet barazia, njerëzit kanë jetuar në steriotipe se nëse vinë shqiptarët në pozita kyçe, do të shembet shteti, do të dominojë një komunitet mbi tjetrin, në fakt atë që ka fituar shteti me këto pozicionime të shqiptarëve, është vetëm një vlerë e shtuar, një cilësi më tepër, kurse për ne ka qenë e rëndësishme që mos të ketë zona te monopolit etnik. Mos të ketë zona të rezervuara për  një komunitet. Nuk mundet një shtet të jetë i barabartë nëse Kryeministri mund të jetë vetëm i një komuniteti dhe jo i një tjetri. Ngadalë, ngadalë i kemi thyer këto monopole etnike dhe sot  Maqedonia e Veriut po bëhet çdo ditë dhe më e barabartë ka mbetur dhe maja e Piramidës se barazisë Presidenca, ku duhet të thyejmë këtë monopol etnik dhe ta normalizojmë barazinë edhe aty.

ELDA MENGA: Çfarë pritshmërish ka BDI nga këto zgjedhje parlamentare dhe presidenciale? Do të jeni përsëri në koalicionin qeverisës dhe cilin nga tre postet të rëndësishme Presidentin, Kryeministrin apo kryetarin e Parlamentit synojnë shqiptarët?

BUJAR OSMANI: BDI është e vetmja platformë politike atje që përfaqëson shqiptarët nga Likova në Strugë, në nivel kombëtar. Të gjitha partitë e tjera janë lokale, rajonale, parti qytetesh, dhe kjo i jep besueshmëri shqiptarëve se do të kenë fuqinë për të përkthyer vullnetin e tyre në një zë të fuqishëm në Parlament. BDI ka dëshmuar kredibilitetin e vet duke realizuar gjithçka që ka premtuar. Nën moton “U tha, u bë”, çdo gjë kemi premtuar në aspektin kombëtar, po edhe social, ne e kemi arritur. Natyrisht, tani hymë me një bagazh të tillë te kredibilitetit të dëshmuar dhe prandaj edhe sondazhet tregojnë se jemi fitues të sigurtë. Për shkak se ne kohërat e paqartësive gjeopolitike, Maqedonisë së Veriut i duhet një qartësi e rëndësishme strategjike. Shqiptarët ketë qartësi e shohin vetëm tek Ali Ahmeti dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, të cilët e dinë që mund të jene gardianët të interesave të shqiptarëve, por edhe të kursit të shtetit. Prandaj, mendoj se shqiptarët vijojnë të mos lejojnë, fragmentimin e skenës politike. Si do të jetë më tutje, në përcaktimet programore i kemi definuar para se te dalim ne zgjedhje, cilat janë vijat zona të kuqe dhe do kërkojmë partneritet mbi ato parime. Natyrisht, ne pretendojmë për mandat. Unë mendoj se në zgjedhjet presidenciale kemi shanse serioze të jemi kompetitiv, edhe për shkak të idesë, edhe për shkak të kandidaturës. Por natyrisht edhe prej konstilacioneve, rezultateve zgjedhore do përcaktohen edhe pozicionet. Sidoqoftë, një rregull është vendosur tashmë. Një nga tre pozicionet kyçe të shtetit gjithmonë duhet ti takojë shqiptarëve.

Top Channel