Sulmi i ushtrisë vret kundërshtarin kryesor të juntës në pushtet, para zgjedhjeve në Çad (fotot)

29/02/2024 19:33

Prokurori publik në Çad, Oumar Mahamat Kedellaye, njoftonte sot vdekjen e kundërshtarit kryesor politik të regjimit ushtarak të gjeneral Mahamat Idriss Déby Itno, njëkohësisht kushëriri i tij Yaya Dillo Djérou.

Ai nuk dha më shumë detaje për ngjarjen por një zëdhënës i qeverisë sqaronte se Yaya Dillo kishte vdekur në një sulm barbar të ushtrisë, në selinë e partisë së tij.

Vdekja e kundërshtarit kryesor të juntës në pushtet në Çad vjen para zgjedhjeve të majit ku i ndjeri pritej të ishte rivali kryesor i kushëririt të tij, presidentit të përkohshëm Deby Itno.

Ngjarja ndodhi mes tensioneve të larta dje në kryeqytetin N’Xhamena kur ushtarët rrethuan selinë e partisë dhe nisën të qëllonin e të lëshonin gaz lotsjellës.

Një zëdhënës i qeverisë tha se katër ushtarë u vranë dhe tre militantë të partisë.

Më vonë në kryeqytet ishte ndërprerë interneti dhe ushtria nisi të sulmonte selinë e partisë me armë automatike, sipas raportimeve.

Zëdhënësi i partisë Abderaman Koulamallah tha se Dillo nuk donte të dorëzohej dhe kishte qëlluar ndaj zyrtarëve të ligjit.

Disa ditë më herët forcat e sigurisë kishin ardhur në selinë e partisë për të arrestuar një aktivist që qeveria akuzonte për tentatië vrasjeje.

Para vdekjes duke folur me rrjetin AFP, Dillo mohonte përfshirjen në incident duke thënë se ishin “gënjeshtra të motivuara politikisht”.

FOTO GALERI
1/3
Vdekja e kundërshtarit kryesor të juntës në pushtet në Çad vjen para zgjedhjeve të majit ku i ndjeri pritej të ishte rivali kryesor i kushëririt të tij, presidentit të përkohshëm Deby Itno.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA