368 mln euro për hekurudhën/ Vorë-Hani i Hotit, 120 km e gjatë. Linja që i shërben transportit ndërkombëtar

27/02/2024 20:17

Bashkimi Europian dhe një sërë institucionesh të tjera financiare do të mbështesin me rreth 368 milion euro projektin rehabilitues hekurudhor Vorë -Hani i Hotit, i cili përshkon veriun e vendit.

Gjatë këtij viti pritet tw mbyllen procedurat e prokurimeve, ndërsa në 2025-ën do të nisin punimet. Në projektin e ri është parashikuar zgjerimi i trasesë dhe ndërtimi i 12 urave të reja për të akomoduar vagonët e rinj elektrik dhe siguruar shpejtësi maksimale deri në 120km/h. Ky projekt infrastrukturor e afron Evropën edhe me pranë Shqipërisë.

“Kjo linjë prej 120 kilometrash është e vetmja linjë hekurudhore që mundëson transport ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve të vendit me malin e zi. Dhe Shqipëria me malin e zi lidhen nëpërmjet stacionit të Tuzit për të vazhduar më pas në Podgoricë dhe me vendet e tjera të rajonit, Beograd, Zagrebi, Ljubjana deri në Budapest”, tha Erjola Muka-Drejtoreshë e Politika dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Territorit.

Në fundin e këtij viti pritet dhe përfundimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës me degëzim në aeroportin e Rinasit që do të ndërlidhet me atë të Vorë – Hani i hotit.

“Rrjeti hekurudhor shqiptar nis me Durrësin që konsiderohet kilometri zero. Më pas është plotësuese e projekteve të tjera, të cilat pritet të fillojnë. Përveç këtij projekti është përfituar dhe projekti I linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë, e cila është pjesë e Korridorit 8. Ndërkohë është ende në proces studimi fizibiliteti dhe dizajni pjesa tjetër e korridorit 8-të Rrogozhinë-Pogradec deri në kufi me Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Erjola Muka-Drejtoreshë e Politika dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Territorit.

Në planin e ri të Rritjes së Bashkimit Europian, fondet për Ballkanin Perëndimor janë rritur, ndërsa vendet duhet të konkurrojnë me projekte ambicioze për marrë investime nga Evropa, kryesisht në projekte që lidhen me rrjetet rrugore evropiane.

Top Channel