Në 2023, të ardhurat rekord! U mblodhën 700 milionë euro më shumë, por shpenzimet nuk u realizuan

19/02/2024 19:46

Në vitin që lamë pas Shqipëria arriti të mbledhë të ardhura rekord në buxhet.

Në buxhet u derdhën 643.4 miliardë lekë, gati 700 milionë euro më shumë apo 12.6% më shumë se një vit më parë. Nga krahu tjetër shpenzimet patën një perfomancë të dobët. Ato u realizuan në vetëm 95.6% të planit, ndërsa në vlerë absolute u rritën me 270 milion euro apo 3.6% më shumë.

Deficiti i buxhetit parashikuar në 51 miliardë lekë gjithashtu nuk u realizua, ndërsa rreth 200 milionë euro mbetën pa shpenzuar nga buxheti, pavarësisht rialokimit që iu bë fondeve me dy akte normative.

Faktorët kryesorë që sollën rritje rekord të ardhurash në buxhet ishin mbledhja e tatimit të jashtëzakonshëm që iu vendos hidrocentraleve të mëdha private, gjallërimit të konsumit nga turizmi me një perfomancë të mirë të TVSH-së neto si dhe tatimi mbi të ardhurat personale.

Rritja e pagave të administratës dhe nga sektori privat sollën gjithashtu rritje të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.Nga krahu tjetër zhvlerësimi i euros dhe rënia e eksporteve të mallrave pati një efekt negativ në të ardhurat doganore. TVSH në import, por edhe taksa minerare erdhën me ulje. Në total nga të ardhurat doganore u realizuan 216.8 miliardë lekë, 6.3 miliardë lekë ose 2.8% më pak se një vit më parë.

Ndërkohë, ministria e Financave arriti që vitin e kaluar për herë të parë në 11 vite të ulë borxhin publik në 59.2%, duke përmirësuar edhe stabilitetin e saj financiar sipas saj vlerësimit të agjencisë prestigjioze Moody’s.

Top Channel