“Me zor nxora të vegjlit jashtë”/ Zjarri dogji dy banesa në lagjen historike të Gjirokastrës, kryefamiljari tregon momentet e tmerrit

18/02/2024 22:01

Dy shtëpi në lagjen Dunavat i dytë në Gjirokastër përkatësisht në pronësi të Çezar Gjoksit dhe Çlirim Gjoksit janë djegur plotësisht nga një zjarr që shpërtheu papritur këtë pasdite.

Çezar Gjoksi jetonte i vetëm por nuk gjendej në banesë në momentin e zjarrit ndërsa Çlirim Gjoksi tha se ishin duke drekuar në momenti  që pikasën zjarrin bashkë me fëmijët nipërit e mbesat që kishin shkuar për vizitë. 10 vetë kanë nxituar të dalin nga banesa që fillimisht përfshiu tavanin e më pas një nga një dhomat.

Mirë që nxora të vegjlit, i kisha kokë-kokë, dolën nuset e fëmijët e dy djemtë, unë dhe gruaja, mezi dolëm atje lart. Nga çatia e dëgjuam dhe brenda ishim 10 veta rrinim tek kati i parë hanim bukë. Shkova të fle kur pashë zjarrin”-u shpreh Çlirim Gjoksi.

Të dy banesat në lagjen historike janë më shumë se 200 vjeçare dhe mendohet se shkak për zjarrin është bërë një shkëndijë elektrike në tavanin e njërës prej tyre.

Në lagjen me sokakë të ngushtë zjarrfikësit kanë pasur vështirësi të hyjnë e megjithë ndërhyrjen në kohë nuk kanë mundur të shpëtojnë asnjërën prej banesave por ja kanë dalë të izolojnë flakët duke penguar përhapjen e tyre në banesa të tjera të lagjes që gjendeshin vetëm 4m larg zjarrit. Banorët që dolën në rrugë të shqetësuar nuk kanë pasur asnjë mundësi për të ndihmuar ndërhyrjen.

Ne na hyri flaka edhe pak, 5m larg është. Nuk patëm asnjë mundësi të ndërhynim. Zjarri erdhi nga kjo anë dhe deri sa arriti në anën tjetër arritën zjarrfikëset. Nuk e di në ishte me dashje a pa dashje. I zoti i shtëpisë nga erdhi zjarri u ngrit e iku”-u shpreh fqinji.

Fillimisht u mendua se shkak për zjarrin mund të ishte bërë Çezar Gjoksi i cili trajtohet për sëmundje të shëndetit mendor nga shtëpia e të cilit nisi edhe zjarri por më pas u konstatua se ai nuk gjendej në banesë në momentin e zjarrit.

Dy familjet e pastreha do të akomodohen tek komshinjtë ndërsa ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit. Kjo ishte situata me e rëndë ndër vite e një zjarri në zonën historike në Gjirokastër ku brenda një ore janë shkrumbuar plotësisht dy banesa.

Top Channel