“Blinken nuk erdhi për qeverinë”/ Vangjeli: Po të ketë probleme, marrin në telefon Ramën! Babaramo: Vizitë me qëllime gjeostrategjike, jo historike

15/02/2024 21:51

Analisti, Lorenc Vangjeli, e cilëson vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, “një vizitë për shqiptarët dhe jo qeverinë”.

“Në këtë botë, me një mjedis gjithnjë e më vulnerabël sigurie, ndodh që të ketë kundërshtarë vende si Rusia. Parë më ketë sy, kur shqiptarët kanë pasur halle, vijnë me raketa. Kur ka çështje sigurie, vijnë me diplomat. Edhe Clinton në 2012, nuk erdhi për qeverinë. As sot Blinken nuk ka ardhur për qeverinë. Ka ardhur për Shqipërinë. Problemet tona janë të panumërta, korrupsioni është ndër ato të listuara në rangun më të lartë. Është shumë e ndjeshme për ne këtu brenda. Por, kur ka kërcënime të sigurisë, mendon për bukën dhe jetën. Ishte një vizitë për të thënë që kur në rajon ka probleme me sigurinë, Amerika të merr në telefon. Rama nuk është thjesht kryeministri, por është shqiptari që përfaqëson interesin tonë”, u shpreh Vangjeli gjatë diskutimit këtë mbrëmje në “Top Story”.

Ndërkohë, sipas gazetarit Ilir Babaramo, ardhja e Sekretarit Amerikan “nuk prodhoi asgjë”.

“Ai kalon Atlantikun për Konferencën e Mynihut. Ndalesën e vetëm e bëri në Shqipëri. Por që do harrohet. Nuk prodhoi asgjë. Historike ishte kur erdhi George Bush. Vizitë me qëllime gjeostrategjike, jo politike”, tha ai.

Ndërsa, për analistin Alfred Lela, kjo vizitë ishte lobim për kreun e qeverisë shqiptare.

“Blinken erdhi dhe ndihmoi një qeveri të korruptuar, ama të mbështjellë me flamurin amerikan. Posterin mund t‘ia kishin bërë më të madh, Murinjo e kishte më të madh. Ky është lobim i pastër në favor të Ramës. Mund të flisnin dhe në Mynih. Ju e dini që nesër gjykata amerikane shpall fajtor McGonigal”.

Top Channel