Ekskluzive/ Shqiptari i flakës olimpike! Ardian Suka, i përzgjedhur mes 100 mijë personave për parakalimin në Francë

10/02/2024 15:34

Lojërat Olimpike, Paris 2024, janë aktiviteti më i madh sportive botëror që do të mbahen këtë vit në Francë.

Kuptimi i këtyre lojërave ka të bëjë me përballjen e më të mëdhenjve në disa disiplina sportive një herë në katër vite. Ndërkohë që përpara startit të tyre zhvillohet rituali I parakalimit të Pishtarit Olimpi, apo Flakës Olimpike.

Më 20 korrik 1936, një i ri grek, Konstantin Kondylis, u bë vrapuesi i parë në historinë e stafetës moderne të pishtarit olimpik. Ai u largua nga Olimpia, me pishtar në dorë, duke nisur një traditë që është bërë pjesë përbërëse e çdo Lojëra Olimpike.

Flaka olimpike simbolizon dritën e shpirtit, dijes dhe jetës. Duke e kaluar flakën nga një person tek tjetri në faza, Stafeta e Pishtarit shpreh përcjelljen e këtij zjarri simbolik brez pas brezi. Një përcjellës i tillë është shqiptar, i përzgjedhur mes 100.000 aplikantëve dhe 11.000 të përzgjedhurve. Quhet Ardjan Suka, ish-futbollist I Dinamos nga viti 1987 deri në vitin 1991, pjesë e ekipit kombëtar, e më pas i emigruar në Francë për të luajtur futboll dhe për të drejtuar një skuadër futbolli. Pasi u aktivizua deri në vitin 1994 si futbollist në vitin 1995 mori drejtimin e një skuadre rajonale. Në një intervistë për Top Channel, ai tregon ngjarjen e rrallë historike.

“Në vitin 1995 ekipi ynë arriti të ngjitej në 6 kategori, nga e 9 në të tretën dhe kategoria e tretë në Francë është profesioniste. Për këtë arritje sportive kryetari i bashkisë bashkë me presidentin vendosën t’i vendosin emrin tim fushës stërvitore”.

Flaka Olimpike që ka filluar rrugëtimin e saj në muajin mars mbërrin në ishujt e Francës dhe më pas në muajin prill do të kalojë në disa qytete të përzgjedhura.

“Në muajin do të hyjë në Francë. Unë jam shumë krenar që jam përzgjedhur dhe që do ta mbajë, për Francën, për Shqipërinë dhe për veten time dhe familjen time. Segmenti që unë do t përshkoj është 400 m dhe duhet të ecim me 5 km/h”.

Thuajse gjysmën e jetës së tij Suka e ka kaluar në Francë, edhe më tepër ndoshta, por gjithsesi flamuri kuqezi nuk i ndahet nga dëshira për ta valëvitur.

“Nëse CIO (Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë) do të ma lejojë, sigurisht që do të mbajë flamurin shqiptarë me kënaqësinë më të madhe”.

Top Channel