Kryetarja e parlamentit të Letonisë, Daiga Mierina thotë se duhet fitore për Ukrainën nëse dëshirojmë arritjen e paqes.
Në një intervistë për Eka Maghaldadzen, e Shërbimit Gjeorgjian të Zërit të Amerikës, zonja Mierina tha se agresioni i Rusisë nuk do të ndalet vetiu dhe paralajmëron se ndërkohë Rusia po shtrin rrjetet e saj të ndikimit në mbarë botën duke përhapur paqëndrueshmëri dhe duke sulmuar demokracinë.
Zëri i Amerikës: Zonja kryetare e parlamentit, faleminderit për kohën tuaj dhe që erdhët në Zërin e Amerikës. Gjendeni këtu në Uashington së bashku me homologët tuaj nga vendet e Balltikut, për takime me kolegët amerikanë. Cilat janë temat më kryesore në axhendën tuaj? Çfarë po diskutojnë udhëheqësit e vendeve balltike me ligjvënësit amerikanë dhe çfarë donit të dëgjonit prej tyre?
Daiga Mierina: Përshëndetje. Në emër të Letonisë, në emër të vendit tonë dhe popullit tonë, do të donim të falenderonim shumë popullin amerikan për përpjekjet tuaja për të ruajtur paqen në botë. Jemi shumë mirënjohës për këtë pasi është shumë e rëndësishme për botën tonë. Dhe kemi ardhur këtu në Uashington D.C. për të diskutuar për mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën.
Natyrisht, ndihma për Ukrainën është në krye të axhendave në mbarë botën në këto momente. Por, nëse dëshirojmë të arrijmë paqen, duhet të bëjmë gjithçka që mundemi. Dhe përtej kësaj, duhet të mbështesim Ukrainën dhe në veçanti t’i japim mbështetje ushtarake, pasi duhet të kuptojmë se për çdo ditë që vonojmë marrjen e vendimeve të rëndësishme, njerëz vdesin në fushëbetejë.
Ishte shumë e rëndësishme për ne që të përcillnim eksperiencën tonë personale dhe të ndanim mësimet historike që kemi nxjerrë. Dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që t’ja japim këtë mesazh botës dhe Amerikës, se agresioni rus nuk do të ndalet vetiu, nuk do të marrë fund vetë. Dhe nëse nuk e ndalim tani, atëherë do të duhet të paguajmë një çmim edhe më të lartë.
Dëgjojmë këto ditë se Rusia krahasohet me një kancer, por ne mendojmë se është edhe më keq sepse tentakulat e Rusisë po përhapen në mbarë botën dhe arrijnë në shumë vende në mbarë globin. Shtetasit rusë gjenden kudo dhe po përhapin kaos. Po përhapin paqëndrueshmëri dhe po përpiqen të sulmojnë demokracitë.
Dhe gjatë këtyre ditëve ne sigurisht që diskutojmë për hapa shumë praktikë, veprime që mund të ndërmarrim. I diskutuam këto gjëra me senatorët, me ligjvënësit dhe gjithashtu edhe me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve. Këto hapa përfshijnë sanksione të mundshme për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e saj të luftës dhe konfiskimin e pasurive të Rusisë, për t’i përdorur ato për rindërtimin e Ukrainës.
Zëri i Amerikës: Ka të dhëna se kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Johnson ju tha se ekziston mundësia që ndihma për Ukrainën dhe çështja e politikës për kufirin do të veçohen, si një mënyrë për të dalë nga ngërçi. Megjithëse ai thotë se nuk ka ende asgjë të sigurtë. Çfarë mund të na thoni; çfarë ju tha kryetari Johnson për këtë? Çfarë u mësua nga takimi me të?
Daiga Mierina: Vërtet që e diskutuam këtë temë, por është e rëndësishme të kuptojmë se çdo vend ka gjithashtu çështjet e politikave të tij të brendshme që janë sigurisht shumë të rëndësishme dhe shumë lart në axhendën e secilit vend. Po, dëgjuam se ka mundësi për zgjidhje të ndryshme, por nuk diskutuam strategji konkrete se çfarë mund të ishin këto zgjidhje. Dhe për mendimin tim, është detyra e politikanëve tuaj të gjejnë mënyrën më të mirë për të ardhmen e vendit.
Folëm me senatorë, ligjvënës dhe dëgjuam pikëpamje të ndryshme për mundësitë për të vepruar në të ardhmen. Por, dëgjuam se pavarësisht nga këto këndvështrime të ndryshme, pati mirëkuptim të përbashkët unanim se duhet ta ndalim luftën sa më shpejt dhe se duhet ta bëjmë këtë kolektivisht.
Kryetari Johnson nënvizoi se e vlerëson shumë që vendet balltike kanë rritur shpenzimet për mbrojtjen. Kryetari Johnson tha se jemi vërtet një shembull i shkëlqyer për të gjitha vendet e tjera evropiane dhe se ndoshta po japim shembullin duke udhëhequr në këtë drejtim. Të shpresojmë se edhe vende të tjera do ta ndjekin shembullin tonë. Ai falenderoi shumë për këtë.
Do të doja të përmendja se vendet balltike synojnë ta vazhdojnë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për të arritur në 3% të prodhimit të brendshëm bruto. Për shembull, në Letoni synojmë të arrijmë në 3% të PBB-së deri në vitin 2027.
Gjithashtu, mbështetja jonë për Ukrainën ka qenë shumë më e madhe, në disa vende balltike më shumë, në disa më pak. Por, mbështetja për Ukrainën është në përgjithësi mbi 1% e PBB-së sonë.
Zëri i Amerikës: Vendet balltike kanë paralajmëruar prej dekadash për mundësinë e agresionit rus. Dhe ju përmendët se u thatë ligjvënësve amerikanë se agresioni i Rusisë nuk do të ndalet vetë. Ndërsa shumë flasin për dhënien fund të luftës, udhëheqësit balltikë nuk ndruhen të flasin për dhënien fund të luftës me një fitore të Ukrainës. Jeni shprehur edhe gjatë debatit vjetor për politikat se “fitorja e Ukrainës është një ndër përparësitë e politikës së jashtme të Letonisë”. Përse është kjo e vërtetë për vendin tuaj? Çfarë do të thotë fitorja e Ukrainës, apo mundja e saj në këtë luftë, për vendin tuaj dhe për vendet balltike?
Daiga Mierina: Po, vërtet. Për shumë vite kemi paralajmëruar tashmë vendet evropiane dhe vende të tjera të botës se Rusia përfaqëson një rrezik agresioni. Dhe në histori kemi parë tashmë shenja të qarta të kësaj mundësie. Le t’i hedhim një vështrim pas historisë. Putini gjithnjë ka përdorur forcën për të arritur objektivat e tij. Pamë luftën e tij në Çeçeni. Pamë më vonë sulmin e tij ndaj Gjeorgjisë, në Krime dhe pas secilit sulm popullariteti i tij u rrit. Dhe Putini ndjeu se mund të arrijë çfarë dëshiron nëpërmjet forcës. Kjo krijoi një lloj ndjesie pandëshkueshmërie për Putinin dhe për Rusinë në tërësi. Rusia pati ndjesinë se mund të diktonte vërtet rendin botëror, por neve na duhet llogaridhënie për veprat e Rusisë.
Të treja vendet balltike kanë përjetuar sulmin, gjenocidin, deportimet, rusifikimin. I mbajmë mend të gjitha këto shumë mirë dhe vazhdojmë t’ia kujtojmë botës veprat dhe rrezikshmërinë e Rusisë. Nëse nuk e ndalim Rusinë, ajo do të vazhdojë të përsërisë të njëjtat gjëra dhe jo vetëm në Balltik, por edhe në vende të tjera.
Prandaj do të doja të deklaroj se lufta në Ukrainë është lufta për paqen në botë.
Zëri i Amerikës: Jeni tashmë një vend i NATO-s prej 20 vitesh. Me praninë e forcave të NATO-s në Balltik, a jeni të shqetësuar se mund të bëheni objektivi i radhës? Gjatë 6 muajve të ardhshëm, NATO do të bëjë stërvitjen më të madhe që nga Lufta e Ftohtë. Vendet balltike janë ndër vendet kryesore ku do të mbahen manovrat. Çfarë i nevojitet vendit tuaj pikërisht tani për sa i përket sigurisë? Si mund të forcohet?
Daiga Mierina: Po, vërtet vendi ynë ka qenë në NATO për 20 vjet dhe kjo ka rritur padyshim ndjesinë tonë të sigurisë. Ka krijuar një mjedis më të sigurtë në vendet tona. Kemi mbrojtjen kolektive dhe kemi vërtet një ndjesi më të madhe sigurie në vendin tonë.
Është e rëndësishme për tre vendet balltike që të mos ndihemi të vetëm. Nëse pësojmë një sulm, nëse do të na duhet të përballemi me agresionin, mund të mbështetemi tek aleatët për të na ndihmuar. Por në të njëjtën kohë, nuk duhet të rrimë kot, duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë. Kemi krijuar strategji të reja mbrojtjeje dhe kemi bërë shumë për të forcuar sigurinë tonë. Shpresojmë vërtet që edhe Suedia do t’i bashkohet NATO-s dhe se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s në të ardhmen.
Zëri i Amerikës: Zgjedhjet presidenciale po afrojnë në Shtetet e Bashkuara. Shumë kujtojnë ish presidentin Trump që e quajti NATO-n të ezauruar dhe madje shqetësohen se nëse zgjidhet, se mund të nxjerrë SHBA-në nga NATO. A jeni e shqetësuar për këtë? Dhe çfarë mendoni për një skenar të tillë?
Daiga Mierina: Së pari mendoj se duhet të presim për rezultatin e zgjedhjeve dhe pastaj të mendojmë për këtë. Por sigurisht, e kemi dëgjuar këtë retorikë përpara zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Për mendimin tim, NATO është një aleancë shumë e fortë dhe Shtetet e Bashkuara kanë një rol shumë të fortë dhe shumë të rëndësishëm në NATO. Këtë vit shënohet 75-vjetori i NATO-s dhe përgjatë këtyre viteve NATO ka udhëhequr në mënyrë të shkëlqyer. NATO ka treguar se mund të japë mbështetje dhe ndihmë aty ku nevojitet. Dhe NATO ka qenë shembull shumë i mirë se si duhet të jetë një organizatë.
Për mendimin tim tani nuk ka ndonjë nevojë për t’u shqetësuar për NATO-n. Por në të njëjtën kohë, NATO duhet të mendojë se si do të jetë në të ardhmen, si mund të funksionojë me më shumë efikasitet dhe se si mund të kontribuojmë të gjithë në mënyrë të barabartë për mbrojtjen kolektive në NATO.
Zëri i Amerikës: Folët se si vendet e vogla balltike po shpenzojnë për ndihma për Ukrainën dhe për mbrojtjen e tyre, krahasuar me PBB-të e tyre. Për këtë përgëzohen shpesh nga vende me ekonomi shumë më të mëdha. Na thoni se si e shikoni rolin udhëheqës të Letonisë dhe të Evropës për këtë? Në veçanti ndërsa ndihma nga Shtetet e Bashkuara është e pezulluar dhe ndërsa pritet një luftë e zgjatur, çfarë mendoni se mund të bëjë Evropa më shumë? Ku gjenden roli dhe përgjegjësia e vendeve të caktuara dhe i Evropës në tërësi?
Daiga Mierina: BE-ja duhet ta ndihmojë Ukrainën më shumë.
Mendoj se janë rritur përpjekjet evropiane për të ndihmuar Ukrainën. Disa vende më të mëdha evropiane kanë shtuar rolin e tyre dhe kanë ndryshuar qëndrim. Kemi parë deri rishtazi se ka patur dyshime, nëse duhet të dërgonim raketa apo armatime të tjera në Ukrainë. Por tashmë retorika ka ndryshuar. Është e qartë tashmë se na nevojiten veprime të vendosura dhe të shpejta për të patur rezultate. Mund ta shohim qartazi se nëse vonohemi të veprojmë, lufta vetëm zgjatet edhe më shumë.
Rusia mëson me shpejtësi. Rusia po i përshtatet zhvillimeve më të fundit. Rusia po mëson nga gabimet e saj. E vizitova personalisht Ukrainën së fundmi dhe dëgjova nga ukrainasit se si Rusia po përdor taktikat ukrainase në luftimet kundër Ukrainës. Po mëson nga lufta e Ukrainës. Për shembull, Ukraina po përdor dronë në fushëbetejë dhe pastaj edhe Rusia po përdor dronë kundër Ukrainës. Nuk duhet ta nënvlerësojmë Rusinë. Sigurisht do të doja të nënvizoja se është e rëndësishme që BE-ja dhe vendet evropiane në përgjithësi të flasin më pak dhe të rrisin mbështetjen për Ukrainën.
Personalisht mendoj se në këtë pikë nuk duhet të flasim më për çfarë është e mundshme. Duhet të flasim për hapa konkrete që duhet të ndërmarrim, si zhvillimi i industrisë ushtarake dhe prodhimi i armëve. Për shembull, ka tani një mungesë predhash 155 milimetërshe, të cilat janë shumë të rëndësishme në këto momente për Ukrainën. Por, Evropa nuk arrin të prodhojë mjaftueshëm nga këto predha. Evropa duhet të zgjerojë vërtet industrinë e saj ushtarake.
Këtu do të doja të përmendja një iniciativë shumë konkrete në kuadrin e formatit Ramstein. Letonia ka marrë rol drejtues në të ashtuquajturin Koalicioni i Dronëve dhe detyra e këtij koalicioni është të gjejë mundësitë për të prodhuar dronë në sasi të mëdha dhe me çmim të përballueshëm, të cilët i nevojiten Ukrainës shumë në këtë moment për të luftuar Rusinë.
Sipas mendimit tim, do të ishte gjithashtu shumë e rëndësishme që të përdoren pasuritë e konfiskuara ruse për përfitimin e Ukrainës. Ne e dimë se ka patur një sasi të madhe të pasurive ruse të sekuestruara në shumë vende, përfshirë në Shtetet e Bashkuara. Ne duhet të gjejmë mënyra për t’i përdorur këto fonde të ngrira për të ndihmuar Ukrainën, si në luftë ashtu edhe më pas për të rindërtuar Ukrainën.
Dhe këtu dua të ndaj një shembull nga vendi im. Letonia ka miratuar tashmë një ligj ku ne vendosëm të konfiskojmë një ndërtesë, të ashtuquajturën “Shtëpia e Moskës” në kryeqytetin tonë, Riga, e cila për shumë vite u përdor për të përhapur propagandën ruse. Dhe tani po shikojmë mënyrat se si mund ta përdorim ndërtesën e sekuestruar dhe të konfiskuar për të ndihmuar Ukrainën, për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës.
Zëri i Amerikës: Ju përmendët se tani është koha për veprim të vendosur. Megjithëse, me numrin e zgjedhjeve të planifikuara për këtë vit, përfshirë për Parlamentin Evropian, situatën në Lindjen e Mesme, a shihni shenjat e lodhjes me Ukrainën dhe nëse po, sa përbën kjo një sfidë, çfarë do t’u thonit atyre, përse ka rëndësi të mos lodhemi së mbështeturi Kievin?
Daiga Mierina: Ndoshta do të përsëris veten, por mendoj se përgjigja është shumë e qartë, sepse Ukraina po lufton për vetë shpirtin. Ukraina po lufton që ne të kemi një jetë të qetë, që fëmijët tanë të shkojnë në shkollë dhe të studiojnë atje, që ne të mund të shkojmë në punë dhe të bëjmë punët tona. Ukraina është ajo që po paguan një çmim në mënyrë që ne të gëzojmë këto mundësi.
Zëri i Amerikës: Shkurtimisht për sulmet hibride nga Rusia. Dezinformim, infiltrim apo mjete të tjera hibride që Kremlini i përdor shumë shpesh jo vetëm kundër vendeve të Europës Lindore, por edhe gjetkë. Përfshirë edhe në Balltik. Sa e madhe është kjo sfidë për vendin tuaj dhe si po e përballoni?
Daiga Mierina: Po bëjmë luftë informacioni çdo ditë dhe çdo vend po e përjeton këtë, sepse rusët janë ekspertë në infiltrim. Ata dinë të depërtojnë në çdo vend. Ata dinë të shesin kaos. Dhe unë e di se si mund të përdoret popullsia rusishtfolëse globalisht për të përhapur ndikimin e tyre, për të ndikuar në aktivitetet e politikës së brendshme. Dhe së bashku, të gjithë ne duhet të luftojmë kundër të keqes së Rusisë.
Letonia, për shembull, ka bërë tashmë shumë për të luftuar kundër aktiviteteve të infiltrimit të Rusisë. Shërbimet ruse të sigurisë po punojnë shumë. Ne kemi ndaluar propagandën ruse në kanalet tona televizive. U kemi hequr lejet e qëndrimit personave të dyshimtë. Kemi dëbuar njerëz nga vendi ynë. Dhe kemi futur gjithashtu një ligj që çdo person që punon në administratën publike në Letoni duhet të jetë besnik ndaj vendit tonë.
Zëri i Amerikës: Përpara se të kaloj tek pyetjet e mia të fundit për Gjeorgjinë, do t’ju pyes edhe për Kinën. Kjo ishte një temë e diskutuar edhe me homologët tuaj amerikanë. Për sa i përket shteteve balltike, a ekziston një lidhje specifike midis asaj që po ndodh në Ukrainë dhe asaj që Kina mund të bëjë më pas? A janë krijuar këto lloj lidhjesh? Çfarë mësuat nga takimet tuaja në Kongres për perceptimin që ekziston për këtë?
Daiga Mierina: Mendoj se po ka një ndërgjegjësim për këtë sepse ne shohim që Kina është një superfuqi e rëndësishme, pasi Kina po prodhon teknologji të rëndësishme. Rusia ka nevojë për këtë teknologji për të fuqizuar makinerinë e saj të luftës. Dhe ekziston mundësia që me të vërtetë Rusia po blen armë nga Kina dhe nga vende të tjera gjithashtu, nga Irani. Në të njëjtën kohë, ne e dimë se Kina dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me BE-në. Pra, kjo nuk është një çështje e thjeshtë. Por po, mendoj se në përgjithësi ka një ndërgjegjësim për këtë lidhje.
Top Channel