Siguria kibernetike për fëmijët/ Rreziku nga ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme

02/02/2024 12:09

Si një sfidë dhe çështje urgjente e shoqërisë, në bashkinë e Durrësit u organizua një takim gjithëpërfshirës mbi sigurinë kibernetike për fëmijët.

Gjatë takimit, të organizuar nga Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, theksi u vu në ndërgjegjësimin e shoqërisë për të krijuar një hapësirë më të sigurt dhe të qëndrueshme për fëmijët në internet.

 “Jam 10 vjeçe. Më ka ndodhur një rast që nga rrjetet sociale më kanë kërkuar të dhënat dhe adresën time dhe unë i tregova familjes. Prindërit më thanë të mos u përgjigjem dhe as t’i hap ato se sjellin rrezik për ne fëmijët.”

“Loz me shokët dhe flasim. Ndjehem pak si keq se është me vrasje.”

“Në 9-vjeçare kam pasur një rast kur një gocë kishte ndarë disa mesazhe dhe foto me shoqërinë dhe ato më pas ishin ndarë dhe në biseda të tjera. Ajo kishte folur me psikologen dhe më pas ato kishin njoftuar dhe policinë”, janë shprehur disa fëmijë.

“Është e pashmangshme që të rrinë larg internetit dhe bashkë me të vijnë dhe rreziqet. Gjithnjë e më shumë po shtohen rastet kur fëmijët po ngacmohen, po bullizohen, po shantazhohen përmes keqpërdorimit të internetit dhe padijenisë së tyre për këto rreziqe. Ne profesionistët e dimë dhe ekzistencën e faqeve dark web ku fëmijët shfrytëzohen dhe keqtrajtohen”, tha Anila Bregu ASHDMF.

Ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme, siç janë dhe faqet pornografike mbetet një rrezik i madh që cenon zhvillimin e të miturve.

 “Është problem i jashtëzakonshëm pasi është hapësirë që aksesohet pa pagesë. Kjo hapësirë është tërheqëse, sidomos për adoleshentët dhe është një edukim jo i shëndetshëm. Nëse ata e marrin informacionin nga këto faqe do të kemi individë jo të shëndetshëm jo vetëm në marrëdhëniet intime, por dhe në shëndetin mendor. Duhet të vendosen masa sigurie veçanërisht ndaj faqeve pa pagesë për fëmijët deri 18 vjeç”, u shpreh Viola Çikalleshi, Qendra Komunitare Durrës

“AKCESK (Autoriteti Kombëtar për Certifikimin dhe Sigurine  Kibernetike) kërkon bllokimin e atyre faqeve nga territori shqiptar kur këto faqe mund të kenë përmbajten pornografike apo të papërshtatshme për fëmijët”, tha përfaqësuesja e AKCESK.

Të pranishmit theksuan se krijimi i një kulture dixhitale duhet të përfshijë njohjen e rreziqeve potenciale, praktikat e sigurisë në internet, si dhe ruajtjen e privatësisë dhe vlerat etike të përdorimit të teknologjisë.

 

 

Top Channel