Nga Monika Stafa

Sot është 27 janar, Dita e Kujtesës së Holokaustit. Kjo datë u zgjodh sepse shënon gjithashtu dhe përvjetorin e clirimit të kampit të vdekjes Aushvic-Birkenau në vitin 1945.

Tmerret që ndodhën atje treguan se sa e brishtë është jeta në një botë të kapur nga e keqja dhe fashizmi.

Atje, dhe në dhjetëra qendra të tjera si këto kampe famëkeqe, ushtarë dhe civilë ekzekutuan plotësisht me vullnetin e tyre 6 milionë hebrenj.

Gjatë ushtrimit të pushtetit, nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre vranë gjithashtu miliona të tjerë, johebrenj.

Por diku, në një vend të vogël të Ballkanit, i varfër, i prapambetur gjithashtu, ai u bë një portë e gëzueshme për cdo hebre që kërkonte strehim e mbijetesë.

Shqipëria!

Titulli eshte zgjedhur jo pa qellim në këtë gegnishte të kohës. Duke iu referuar dokumenteve te epokes dhe gjuhes se perdorur ne to, ne nderojme perpjekjet e institucioneve te shtetit shqiptar por dhe përfaqësive tona jashtë vendit, të cilët edhe pa organizim e të veçuar nga njëri- tjetri, duke rrezikuar madje jetët e tyre, zgjodhën “për me shpëtue” jetë.

Studiuesit mund të mos pajtohen për fakte dhe interpretime të pjesshme por të gjithë ama vijnë në një mendje se ka dy periudha të marrjes së hebrenjve në mbrojtje në vendin tonë:

-gjatë kohës së mbretërisë dhe gjatë luftës.

Po ashtu palët pajtohen se shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri nuk mund të shpjegohet pa praninë e dy faktorëve:

solidariteti i popullit dhe qëndrimi i autoriteteve.

Ky shtet i vogël, me shumë traktate që ia kufizonin vetëveprimin, që u pushtua ndër të parët me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore bëri një sfidë të madhe, duke e refuzuar antisemitizmin si filozofi dhe si ligjshmëri, duke mos iu bindur ligjeve antihebraike të aleatëve të mëdhenj si Italia, dhe duke hapur shtigje të gjithfarshëm për t’u ardhur në ndihmë hebrenjve, për t’i shpëtuar nga përsëritja e “crystal night” dhe çdo formë tjetër urrejtjeje masive, dhune dhe pogromi.

Me urrejtjen dhe antisemitizmin që kërcënon demokracitë, ne duhet të qëndrojmë në opozitë sa herë që të pafajshëm vihen në shënjestër.

Si ata gjashtë milionë hebrenj që u vranë gjatë Holokaustit, 1.1 milionë prej tyre në Aushvic.

Sot, rreth 400,000 të mbijetuar jetojnë ende, pothuajse gjysma e tyre në Izrael.

Ndërsa lufta atje po shënon një tjetër epokë historike të përpjekjeve të dy popujve për paqe, ne u qëndrojmë miqve tanë pranë duke thirrur njëzëri:

“Le Të Kujtojmë!”

Top Channel