Parku zbavitës i ‘mëkatit’ habit vizitorët me koka të prera, lot gjaku e përbindsha mishngrënës në Singapor

27/01/2024 16:41

Një park ‘trazues’ i quajtur Hau Par Villa në Singapor, është përshkruar si versioni më i dhimbshën i zbavitjes dhe mësimit, teksa tematika e tij çuditërisht fokusohet te dhuna e dhimbja, me të cilën tenton të përshkruajë ‘si parandalohet mëkati’.

Atraksioni madhor lejon dhe fëmijë shkollash të hyjnë brenda, teksa u mëson vizitorëve për mëkatin dhe mënyrat makabre sesi kjo mund të dënohet pas vdekjes.

Një prej pikave kryesore quhet ’10 gjyqet e ferrit’ dhe përfshin imazhe trupash të copëtuar, djaj që ushqehen me mishin e njeriut apo njerëz të gjymtuar e kryqëzuar.

Muzeumi ka qenë më parë një vilë ekstravagante por është shndërruar në një vend të frikshëm për vizitorët prej dekadash.

Duke përshkruar dënimet që njeriu mund të marrë në jetën e përtejme, atraksionet shoqërohen me informacione për kulturën dhe fenë budiste si dhe atë që konsiderohet mëkat ose mënyra të parandalimit të tij.

Në një shpellë gjigante vizitorët mund të zbulojnë gropat e zjarrta dhe seksionin ‘Gjyqi i Parë’ i ndërtuar si një sallë gjyqi, ku mbreti supozohet të gjykojë shpirtrat e njerëzve.

Sipas teorisë, ata që janë sjellë mirë në jetë ecin në urën e florinjtë, kurse ata që kanë bërë më pak të mira ecin në urën e argjendtë për të shkuar drejt parajsës.

Ndërsa për të tjerët mbeten vetëm gjyqet e ferrit, për mëkatet e listuara si ofendimet, shpërdorimi, vrasja apo përdhunimi.

Mes të tjera mëkateve përmenden dëmtimi i librave, zotërimi i materialeve pornografike, apo shkelja e rregullave, për të cilat dënimet variojnë me gjymtime të ndryshme fizike.

Mes ilustrimeve shihen hajdutët që hidhen në vullkan, prostitutat që mbyteshin në pellg gjaku apo bixhozxhinjtë që ngrinin brenda akullit.

Parku është menduar si një vend për të trembur fëmijët që të sillen mirë dhe rregullat thonë se ata mund ta vizitojnë vetëm në grupe prej të paktën nëntë vetësh./Rrjeti The Sun/

FOTO GALERI
1/10
Një park ‘trazues’ i quajtur Hau Par Villa në Singapor, është përshkruar si versioni më i dhimbshën i zbavitjes

Top Channel