Do bëhemi si jelekverdhët në Francë, fermerët gjermanë nuk ndalen, protesta të reja!

20/01/2024 13:41

Miratimi i buxhetit të shtetit nga Komisionit i Buxhetit në Bundestag i dha fund krizës buxhetore në Gjermani.

Tani është vetëm hap formal miratimi i buxhetit nga i gjithë parlamentit, më së voni në fillim të shkurtit. Megjithatë, fermerët sërish janë të pakënaqur sepse me buxhetin e ri qeveria iu përmbajt shkurtimit të subvencioneve për ta, pavarësisht kërkesave që kjo të mos ndodhte, thotë DW, e cila ngre pyetjen nëse tani, edhe fermerët gjermanë që premtojnë vazhdim të aksionit të tyre, do të imitojnë jelekverdhët në Francë. Protestuesit insistojnë që qeveria të lërë gjithçka si deri tani dhe t’u kthejë fshatarëve 21,48 cent për litër naftë.

Kriza e shkaktuar në Gjermani praktikisht, konsiderohet se erdhi nga mosrespektimi i kushtetutës sepse ajo nuk u shkaktua për shkak se qeverisë gjermane i mungonin vërtet paratë. Por sepse qeveria i kishte bërë planet fillestare buxhetore për këtë vit mbështetur në para, të cilat nuk lejohej t’i përdorte: në kredi të marra për pandeminë e Covid-19, që nuk ishin shfrytëzuar.

Në 15 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese Federale gjermane gjykoi se ndryshimi i destinacionit të kredive ishte antikushtetues. Kjo e tronditi ekzekutivin tripartiak dhe të gjithë vendin. Për buxhetin e 2024-ës tani mungonin 17 miliardë euro, të paracaktuara (e të premtuara) nga tri partitë për objektiva përkatëse kombëtare. Buxheti i ri parashikon disa masa financiare që pritet të sjellin më shumë para në arkën e shtetit.

Konsumatorët i presin ndër të tjera çmime më të larta për biletat e avionit, ku do të rritet taksa. Si dhe çmime më të larta për ngrohjen, për gazin dhe karburantin, pasi do të rritet çmimi i dioksidit të karbonit.  “Fermerët tanë janë shumë të zhgënjyer që nuk janë dëgjuar” deklaroi presidenti i Shoqatës së Fermerëve, Joachim Rukwied, i cili paralajmëroi protesta të reja “përsëri nga java tjetër”.

Top Channel