Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, debatuan këtë të premte në “Top Talk” për Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Sipas Gjekmarkajt, mazhoranca nuk lejon “Rithemelimin” të marrë pjesë në punën e Komisionit dhe nuk njeh Oerd Bylykbashin si bashkëkryetar. Por, Klosi, nga ana tjetër u shpreh se të gjitha grupimit e PD-së kanë të drejtën e përfaqësimit në Komision, ndërsa shtoi se “mazhoranca nuk mund të përcaktojë lojën e opozitës”.
Klosi: Është e vërtetë që nuk është mazhoranca që përcakton lojën e opozitës. Nuk mund të jetë ajo që cakton listat e opozitës që i zgjedh vetë. Grupin që sot kritikon, e cilësonte para dy vitesh si mënyra më e mirë për të qeverisur Shqipërinë. Nuk është faji jonë si i zgjedhin deputetët.
Por, sot, përsëri nuk është e vërtetë që nuk lejohet një grupim i PD-së që të marrë pjesë në komision.
Gjekmarkaj: Po e lemë mënjanë kush është kryetari. Çuçin e keni zgjedhur vetë ju apo e ka zgjedhur PD. Ky zotëri ka kërkuar anëtarët që i takojnë këtij grupi në komision. Ne kemi caktuar Bylykbashin.
Klosi: doni të merrni pjesë në Komision, keni karriget tuaja aty. S’doni të merrni pjesë? Deri tani s’e keni bllokuar dot punën e parlamentit dhe komisionit.
Top Channel