“Pacolli i dha Naim Murselit 20 mijë euro”/ Këshilltari në “Top Story”: Behxheti nuk e njihte, i pagoi operacionin në zemër

17/01/2024 22:38

Këshilltari i Behxhet Pacollit, Jetlir Zyberaj, i ftuar këtë të mërkurë në “Top Story”, sqaroi raportin e ish-presidentin me Naim Murselin, që dy muaj më parë vrau bashkëshorten, nëpërmjet një plani të mirëmenduar.

Sipas Zyberajt, në vitin 2009, Murseli ka marrë një shumë prej 20 mijë eurosh nga fondacioni që drejton Bexhet Pacolli, për të kryer një operacion në zemër.

“Natyra e tij nuk ishte natyrë konfliktuale. Mënyra si është afruar ai në rrethin tonë, ka qenë diku në vitin 2008-2009, në kuadër të aktiviteteve tona politike. Ai u prezantua nga njerëzit si dikush me njohuri të madhe në teknologjinë informative. Por, që kishte edhe një problem shëndetësor, kishte problem me zemrën në atë kohë. Në kuadër të fondacionit që udhëheq zoti Pacolli, iu ofrua një ndihmë, një shumë rreth 20 mijë euro”.

Më pas, Murseli u punësua në fondacion, duke u angazhuar në sigurinë e rrjeteve sociale.

“Pas një periudhe, ky djali u afrua dhe kërkoi që në njëfarë forme ta kompesonte atë shërbim dhe të angazhohej në stafin tonë, duke u fokusuar te menaxhimi i rrjeteve sociale. Ai paguhej nga kompania e Pacollit. Merrte një pagë 1000 euro”.

Vrasja e Liridona Ademajt

Vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademaj të mërkurën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Prishtinë tronditi shqiptarët.

Fillimisht, Policia e Kosovës rastin e raportoi si “grabitje me pasoja të vrasjes”, kurse dy ditë më vonë, policia njoftoi për arrestimin e tre personave të dyshuar për ngjarjen. Organizatori i vrasjes së të resë ishte Naim Murseli, kurse ekzekutori Granit Plava, bashkëfshatar i tij. Dyshohet se për kryerjen e vrasjes Plava do të paguhej 30.000 euro nga Murseli, ku 15 mijë euro i kishte marrë para kryerjes së vrasjes dhe 15 mijë të tjera do t’i merrte më pas.

Më vonë Policia e Kosovës arrestoi edhe një person të tretë si të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, i cili ishte Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Top Channel