U rrëzua edhe miti i mbështetjes nga ndërkombëtarët/ Salianji: Doli qartë mashtrimi i Bashës, njerëzit e Ramës i thanë…

16/01/2024 16:03

Deklarata e Lulzim Bashës se ndërkombëtarët kanë ndërhyrë për të rikthyer komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore ishte një mashtrim, sipas deputetit Ervin Salianji.

I ftuar në “Top Talk”, Salianji u shpreh se e vetmja ndërhyrje te Basha është nga njerëzit e kryeministrit Edi Rama. Duke ndikuar te Basha, sipas Salianjit, Komisioni i Reformës Zgjedhore, është kthyer në një komision “me partizanët e Ramës”.

Kam një keqardhje për situatën ku ka degraduar veten Basha. Pastaj lehtësia me të cilën mashtron në publik. Që dje e kuptuam që ky ishte një blof i madh. Ne e themi prej kohësh që ka një bashkëpunim me Ramës dhe Bashës. Dje e konfirmoi dhe vetë, por tha ka ndërhyrje nga amerikanët. Në fakt, është e dukshme që ka një ndërhyrje nga njerëzit e Ramës.

Ka një komision të ngritur prej dy vitesh në parlament, ka dy bashkëkryetar. Dhe prandaj këtu ka një konflikt, se Rama do të imponojë edhe drejtuesin që i takon opozitës. Ka komision bipartizan, e ka kthyer në komision me partizanët e vetë”.

Deklarata e Bashës nxiti edhe reagimin e ndërkombëtarëve, përfshirë ambasadën amerikane e britanike si dhe të delegacionit të BE-së në Tiranë. Me këto reagimi, U rrëzua edhe miti i mbështetjes së Bashës nga ndërkombëtarët, tha Salianji në “Top Talk”.

“Basha ka një vit që nuk vjen në parlament. Ditën që erdhi mashtroi dhe detyroi tri ambasada të reagojnë. Nuk tha se përse ky parlament sipas tij, nuk po funksionin. Nëse do të kishte shqetësim për interesi publik e kryesisht votuesit demokratë, padyshim që shërbëtori i Berishës dikur, po i shërben Ramës sot. Ecën sipas interesave tërësisht personale”.

Demokrati këmbëngul se tashmë është e qartë që Basha është në anën e mazhorancës.

“Qartësisht, tani është në mazhorancë. Përfiton gjëra të tërthorta, një prej tyre është komisioni i reformës zgjedhore. Jam i bindur që edhe deputetët e atij grupi nuk janë të gatshëm që të votojnë për të instaluar akoma më shumë Ramën në pushtet”.

Top Channel