Nuk ka më kohë për të humbur dhe pas disfatës së fundit ndaj Milanit në kampionat, drejtuesit e Romës vendosin të shkarkojnë Jose Mourinhon.

Tekniku portugez që e mori drejtimin e skuadrës në majin e vitit 2021 nuk do të jetë më në krye të verdhekuqve teksa lë skuadrën me dy finale europiane, një në Europa League (e humbi në Budapest përballë Sevillas) dhe një në Conference League.

Këtë të fundit e fitoi në Tiranë ndaj Feyenoord, duke i siguruar Romës një trofe pas shumë vitesh “thatësirë”, raporton Supersport. Megjithatë, ky sezon nisi keq për luzitanin, me skuadrën që humbi shumë terren me vendin e katërt në kampionat dhe u eliminua në Kupën e Italisë ndaj Lazios.

Këto rezultate, e detyruan pronarin Friedkin të marrë vendimin ekstrem për të ndarë rrugët me Mourinhon teksa amerikani theksoi se duheshin ndryshime për të rikthyer sërish skuadrën në “shinat e duhura”.

“Falënderojmë Josenë në emër të të gjithë Romës, për të gjithë impenjimin dhe pasionin e treguar gjatë kësaj kohe në drejtimin e klubit. Do të ruajmë përgjithmonë kujtime të bukura nga drejtimi i tij, por në interesin dhe të mirën e klubit, ishte i nevojshëm një ndryshim i menjëhershëm”, u shpreh pronari amerikan i verdhekuqve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA