Autoritetet turke kanë arrestuar lojtarin izraelit Antalyaspor, Sagiv Jehezkel, për shkak të qëndrimit të tij mbi luftën Izreael-Palestinë. Ai tregoi solidaritet me njerëzit e mbajtur peng nga organizata militante Hamas gjatë një ndeshjeje të kampionatit.
Lojtari i tha policisë se ai thjesht po bënte thirrje për t’i dhënë fund luftës, kur, pasi shënoi një gol, shfaqi një fashë në kyçin e dorës me fjalët “100 Ditë 7.10”. Referencë kjo për 7 tetorin, ditën kur Hamasi sulmoi Izraelin dhe mori me qindra pengje.
Ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunc, tha të dielën vonë se Jehezkel, 28-vjeçar izraelit, është nën hetim mbi akuzat e mundshme për “nxitje të hapur të publikut për urrejtje dhe armiqësi”.
Tunc tha në një deklaratë të postuar në X se Jehezkel ishte përfshirë në “një gjest të shëmtuar në mbështetje të masakrës izraelite në Gaza”.
Gjesti u konsiderua si provokues në Turqi, ku ka një kundërshtim të gjerë publik ndaj veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza dhe mbështetje dërrmuese për palestinezët.
Antalyaspori e pezulloi Jehezkelin nga skuadra dhe njoftoi se po fliste me avokatët e klubit për mundësinë e ndërprerjes së kontratës së tij.
Gjatë marrjes në pyetje në polici, lojtari mohoi akuzat se ishte përfshirë në një akt provokues: “Unë nuk jam pro luftës. Dua që ky proces 100-ditor të përfundojë. Dua që lufta të përfundojë. Kurrë nuk jam angazhuar në ndonjë gjë që lidhet me politikën. Nuk kam respektuar askënd që nga dita që kam ardhur. Doja të tërhiqja vëmendjen për përfundimin e luftës.”
Federata Turke e Futbollit dënoi atë që tha se ishte një gjest që “turbulloi ndërgjegjen” e publikut turk.
Ndalimi i Jehezkelit, ndërkohë, shkaktoi zemërim në Izrael.
“Turp për ju, qeveri turke,” shkroi ish-kryeministri izraelit, Naftali Bennet, në X.
Top Channel