Aurelio Andreazzoli rrezikon shkarkimin nga posti i trajnerit të Empolit. Skuadra toskane, pjesë e së cilës janë Etrit Berisha, Ardian Ismajli dhe Stiven Shpendi, po vuan këtë sezon në Serie A.
Vetëm tri fitore në 20 javë kampionat dhe vendi i parafundit në renditje. Empoli ka grumbulluar vetëm tri pikë në tetë ndeshjet e fundit në kampionat. Disfata 2-1 në Verona në përballjen direkte për mbijetesën, pritet t’i kushtojë vendin e punës.
Shtypi italian shkruan se 70-vjeçari, i cili u rikthye në stolin e Empolit 19 shtatorin e kaluar për herë të katërt gjatë karrierës si trajner, i ka orët e numëruara.
Emri që përflitet si pasuesi i tij, që do të ishte trajneri i tretë sezonal për Empolin, është Davide Nicola. I njohur ndryshe si trajneri i mrekullive.
Në sezonin 2012/2013 ngjiti Livornon në Serie A, ndërkohë që në gushtin e vitit 2016 u emërua trajneri i Crotones. Skuadër që po përgatitej për sezonin e parë në histori në elitën e futbollit italian.
Nisja ishte shume e keqe, Crotone grumbulloi vetëm 9 pikë në fazën e parë, por Nicola nuk u dorëzua dhe arriti të shpëtonte ekipin kalabrez.
Të njëjtën “mrekulli” realizoi edhe me Salernitanën në edicionin 2021/2022. Teksa një vit më parë kishte shpëtuar edhe Torinon e tij të dashur.
Më 15 shkurt të vitit 2022 nisi punën në “Arechi” në një moment kur përveç tij nuk besonte askush tjetër te qëndrimi në Serie A.
Ekipi ishte në vendin e fundit, teksa në fundin e sezonit Salernitana e tij e mbyllte sezonin me një pikë më shumë se Cagliari, me sardët që u rrëzuan në Serie B.
Tani pritet “magjia” e radhës tek Empoli, që shpreson të shpëtojë dhe të jetë sërish pjesë e më mirëve në Itali në sezonin e ardhshëm./ Super Sport
Top Channel