Kreu i Kongresit të SHBA kërcënon të shkarkojë ata që lënë punën prej politikave për Gazën

15/01/2024 21:26

Kreu republikan i Kongresit amerikan Mike Johnson tha sot se “meritojnë të shkarkohen” punonjësit federalë që marrin pjesë në grevën e planifikuar kundër politikave të presidentit Biden për luftën e Izraelit dhe situatës në Gaza.

Republikani nga Louisiana bëri deklaratën në rrjetet sociale duke cituar një artikull të rrjetit AL-Monitor ku thuhet se punonjës nga të paktën 22 agjenci federale të shtetit do të protestonin për politikat e SHBA ndaj Gaza, duke lënë punën të martën.

“Çdo punonjës qeveritar që lë punën për të protestuar ndaj mbështetjes tonë për Izraelin po abuzon me besimin e taksapaguesve dhe meriton të shkarkohet”, shkruante Johnson.

Johnson zotohej të punonte me kolegun republikan të komisionit të mbikqyrjes James Comer, për t’u siguruar që “çdo agjenci të niste procedurat disiplinore për personat që lenë detyrën e tyre”.

Një grup punonjësish qeveritarë kanë planifikuar të mbajnë një grevë të quajtur “Dita e zisë” për të shënuar 100 ditët e sulmit brutal të Izraelit ndaj Gazës, shkruan rrjeti AL-Monitor.

Organizatorët e protestës thanë se besojnë se qindra punonjës shtetërorë do t’u bashkohen në veprimin e tyre të protestës duke përfshirë zyrtarë të zyrës së presidentit, të sigurisë, agjencitë veteranëve të ushtrisë dhe të tjera.

Protesta vjen teksa demokrati përballet me presion në rritje për mbështetjen e Izraelit edhe pse ai tha më herët se “po përpiqet qetësisht që Izraeli të dalë nga Gaza”.

Demonstrues anti-Izrael të shtunën para Shtëpisë së Bardhë thërrisnin sharje ndaj presidentit dhe shtynë rojet e gardhit para Shtëpisë së Bardhë.

FOTO GALERI
2/4
Izraeli bombardon Gazen prej 100 ditesh

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA