“Nuk jam një magjistar”, kështu e nis konferencën për shtyp trajneri i Romës, Jose Mourinho.
Në vigjilje të transfertës ndaj Milanit për kampionat, kryeqytetasit vuajnë ambientin e rënduar nga rezultatet që po mungojnë teksa sezoni rrezikon të shkojë drejt dështimit. Tekniku i verdhekuqve theksoi se po bën maksimumin me lojtarët që ka në dispozicion ndërsa shtoi se është treguar një profesionist nga dita e parë që ka mbërritur te Roma.
“Ka lojtarë që duhet të japin më shumë në fushë. Unë jam shembulli i profesionalizmit, nuk kam lënë asnjë ditë stërvitjen dhe nuk më duket e drejtë që duhet të justifikohem para medias. Askush nuk mund t’iu drejtohet futbollistëve të mi, pasi jam unë ai që iu them atyre gjithçka, edhe kritikat. Kemi zhvilluar një mbledhje dhe ajo ishte pak e ashpër, sidomos për disa prej pjesëmarrësve. E përsëris se ka nga ata që duhet të bëjnë më shumë.
Ndaj Milanit do të ketë ndryshime, por jo me qëllimin për të ndëshkuar dikë. Jemi sërish pa Dybalën dhe nuk është e lehtë ta zëvendësoj, unë nuk kam luksin që ka Guardiola apo Pochetino. Dybala është një lojtar special, që në të shkuarën ka luajtur po ashtu me lojtarë specialë. Por, këtu te Roma është tjetër situatë. Kur ai mungon ne jemi në vështirësi.
Disa këtu mendojnë se unë quhem Jose Harry Mourinho Potter, presin shumë nga unë. Jemi katër pikë pas vendit të katërt dhe luftojmë për diçka që është jashtë mundësive tona nëse krahasohemi me të tjerët.
Ka shumë probleme, Kristensen nuk është anësor, Mancini nuk stërvitet prej një muaji, ai djaloshi (Huijsen) luajti në Kupë pas vetëm 10 minutash në Serie A, nëse njerëzit nuk i konsiderojnë këto atëherë gabojnë rëndë. Humbëm një derbi, por kemi një kampionat për të luajtur dhe do të shkoj në San Siro me bindjen se djemtë do të jpain gjithçka”, u shpreh Mourinho./ Super Sport
Top Channel