Shtyhet rikthimi i Haalandit, Guardiola paralajmëron aktivizimin si titullar të De Bruyne

12/01/2024 18:16

Pritshmëritë për rikthimin e Erling Haalandin në fushë janë të larta, megjithatë norvegjezi nuk do të jetë në “St. James Park” për ndeshjen ndaj Newcastle.

Golashënuesi më i mirë i Premier League-s (bashkëkryeson me Mohamed Salah me nga 14 gola) ka munguar për shkak të lëndimit që nga fillimi i dhjetorit.

“Haaland është jashtë, Stones gjithashtu dhe Grealish ishte i sëmurë. Është në dyshim, por le të shpresojmë se mund të luajë”, tha Pep Guardiola, duke njoftuar më pas se Kevin de Bruyne është gati të luajë titullar.

Belgu u rikthye në garë fundjavën e kaluar, në ndeshjen e FA Cup, kundër Huddersfieldit, pas shumë muajsh mungesë.

“De Bruyne është gati të jetë titullar, ai luajti shumë mirë kundër Huddersfieldit dhe është ndier mirë në stërvitje, ka dinamikë të kënaqshme. Pas këtij takimi do të ketë disa ditë pushim dhe stërvitja në Abu Dhabi do t’i bëjë mirë për muajt e ardhshëm”, tha Guardiola.

Pas ndeshjes me Newcastle, Manchester City do të luajë sërish në datën 26 janar, në shtëpinë e Tottenhamit, në FA Cup, kështu që kjo pauzë do të shfrytëzohet për një udhëtim çlodhës në vapën e Emirateve të Bashkuara Arabe./ Super Sport

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA