Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi mbrëmjen e sotme pritjen me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri.
Kreu i Shtetit në fjalimin e tij u fokusua në arritjet e vitit që lamë pas, te sfidat e Shqipërisë, ato rajonale dhe globale përgjatë vitit 2024, ndërsa ndau me të pranishmit vizionin për përballimin me përgjegjshmëri të këtyre sfidave në funksion të zgjidhjeve afatgjata dhe të qëndrueshme.
Ai bëri thirrje për bashkëpunim e dialog për paqen, sigurinë dhe shpresën për një të ardhme më të mirë duke e cilësuar diplomacinë jo si opsion, por domosdoshmëri.
Presidenti Begaj konfirmoi qëndrimin se Shqipëria do të vijojë të ketë politikë të jashtme dhe të sigurisë të linjëzuar me Bashkimin Evropian dhe SHBA, si dhe do të angazhohet në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit rajonal.
Kreu i shtetit theksoi rëndësinë e mbështetjes së Ballkanit Përëndimor nga Bashkimi Evropian përmes krijimit të mekanizmave që mundësojnë jo vetëm linjëzim politik, por edhe përparim ekonomik dhe lehtësira për jetën e përditshme të qytetarëve.
“Për shqiptarët në rajon, anëtarësimi në BE është çështje e interesit kombëtar”, deklaroi Presidenti Begaj duke shtuar se faktori shqiptar ka kontribuar dhe do të vijojë të kontribuojë në paqen dhe sigurinë e rajonit.
Për Kosovën, Presidenti Begaj, bëri thirrje për njohjen ndërkombëtare nga ato shtete që nuk e kanë ndërmarrë këtë akt dhe dhëniën fund të status-quo-së në mënyrë që të shmangen situata si sulmi i shtatorit 2023 në Banjskë që mund të sjellin pasoja të rënda për rajonin dhe Evropën . Ai përsheëndeti liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe përsëriti qëndrimin për integrimin e saj euro-atlantik.
“Zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë- Serbi nuk është vetëm një çështje politike, por është një çështje sigurie për rajonin dhe të Europën”, deklaroi Presidenti Begaj.
Për përshpejtimin e procesit integrues të Shqipërisë në BE, Presidenti theksoi domodoshmërinë e thellimit të reformave dhe nxitjen e zhvillimit social-ekonomik që u shërbejnë shqiptarëve dhe çeljes së kapitujve për anëtarësim në Union si dhe konsolidimit të besimit të aleatëve me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti theksoi angazhimin për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet publike, si dhe përpjekjet për drejtësi sociale.
Një falënderim të posaçëm Presidenti Begaj u përcolli përfaqësuesve të Trupit Diplomatik në Tiranë për ndihmën dhe kontributin e dhënë që Shqipëria të konsolidojë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të përballojë sfidat ekonomike dhe sociale.
Gjatë kësaj fjale, Presidenti i Republikës rikonfirmoi qëndrimin se Shqipëria mbështet Ukrainën për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Për konfliktin Izrael-Hamas, Shqipëria -deklaroi Presidenti Begaj, mbështet zgjidhjen e konfliktit dhe nisjen e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes me dy shtete, në paqe dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ai u shpreh gjithashtu se ”krizat dhe kërcënimet gjejnë shprehje në zvarritjen, dhe shesh në dështimin e dialogut, në sulmin ndaj parimeve demokratike të qeverisjes dhe në krijimin e ligjërimeve dhe veprimeve diametralisht të kundërta e se përballja me këto sfida dhe kërcënime kërkon që të jemi të bashkuar në një aleancë për mbrojtjen e paqes dhe të vlerave demokratike.
“Kjo aleancë vlerash duhet të jetë e hapur, jo e mbyllur; përfshirëse e jo përjashtuese, ku diversiteti kulturor, fetar dhe etnik konsiderohet pasuri dhe jo mangësi “, deklari Presidenti i Shqipërisë.
Top Channel