Nëntë të arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit në Tiranë, njëri prej tyre kreu manovra të rrezikshme në sheshin “Skënderbej” Prokuroria Berat ka kërkuar 25 vite burg për shtetasin Byniamin Hajro, i njohur si Bujo Çami për ‘Vrasje me paramendim’ ndaj dy personave, në vitin 1997, një krim makabër që tronditi vendin.
Kjo ishte e vetmja ngjarje që i kushtoi dënimin kapobandës Byniamin Hajro dhe njerëzve të tij, që është torturimi dhe vrasja e shtetasve Arjan Avdullai dhe Eduart Pema në 2 qershor të vitit 1997.
Ata u morën peng, u lidhën me tela me gjemba në garazhin e banesës së Bujo Çamit. Aty u torturuan për 24 orë. Bledar Pema, 13-vjeçar aso kohe pa gjithë skenën se si u torturua i vëllai.
Të katër personat i lidhën me një tel, te ganxha e rimorkimit nga mbrapa, të një makine Golf me ngjyrë si gri me targa Berati trupin e Eduart Pemës dhe Arjan Avdullait. Dy kufomat i tërhoqën zvarrë nëpër rrugën e lagjes që të çon në sheshin Vakëf.
Aty i lyejnë me benzinë dhe u vënë zjarrin. Familjet e viktimave nuk guxuan të denoncojnë. Vite më vonë, dëshmia e Bledar Pemës vuri para akuzës Byniamin Hajron, Kudret Zhukën, Kastriot Frashërin dhe Gazmend Hoxhën.
Njoftimi i Prokurorisë së Beratit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat në përfundim të hetimit, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit B.H., për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal ndaj viktimave E.P. dhe A.A., në vitin 1997 dhe dënimin e tij me 25 vjet burgim.
Në kuadër të procedimit penal nr. 175 për vrasjen e dy shtetasve më 03.06.1997, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, ka prova të mjaftueshme se i pandehuri B.H., ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.
Nga hetimet rezultoi se i pandehuri, shtetasi B.H., në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar, pasi i kanë rrëmbyer viktimat E.P. dhe A.A., i kanë futur në një garazhd dhe i kanë tortuar duke i goditur me mjete të forta, me armë zjarri dhe duke i djegur ata të gjallë, duke iu shkaktuar kështu vdekjen. Pas torturave, autorët e veprës penale i kanë tërhequr zvarrë trupat e viktimave me makinë në qytet.
Prokuroria provoi se i pandehuri B.H., ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim (dy herë), parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal dhe ka kryer veprën penale duke qenë në rolin e organizatorit dhe ekzekutorit.
Sa më sipër u arrit në përfundimin se shtetasi B.H., me veprimet e tij të kundërligjshme ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/1 i Kodit Penal.
Top Channel