I riu shqiptar i cili i dha fund jetës në anijen hotel në Angli ku akomodohen emigrantët iu dha lamtumira e fundit mesditën e të mërkurës.
Leonard Farruku 27 vjeç u përcoll nga të afërmit, përfshi shokët e shkollës ku kishte studiuar në Tiranë për në banesën e fundit në Tufinë.
Jola dhe Marsida, dy motrat e Nardit të pllakosura në lot i thanë fjalët e fundit.
“Nuk do të harrojmë kurrë vëllai jonë”.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu raporton se krahas lotëve lutjet shkuan që shpirti Leonard Farrukut të ndriçojë e të shërbejë për mos përsëritjen e të tilla ngjarjeve në të ardhmen.
“Shpirtrat tanë dhe zemrat tona do të gjejnë paqe vetëm atëherë kur të mësojmë të vërtetën”, u shpreh tezja e tij.
Ndërsa kushëri Maringleni tha: “Shkoi në Angli për një jetë më të mirë. Ai kurrë nuk më tregoi apo të shfaqte shenja stresi. Janë shumë pikëpyetje për çfarë ndodhi në anijen hotel”, ka pohuar ai.
Leonard Farruku u gjet i pajetë në anijen hotel Bibby Stokholm më 12 Dhjetor. Hetimet e deritanishme jo përfundimtare tregojnë për një vetëvrasje.
Kthimi i trupit të tij në Shqipëri u bë i mundur falë bujarisë të shumë anglezëve, shqiptarëve në Angli dhe botës të cilët dhanë donacionet e tyre përmes Gofound.
Top Channel