E apasionuar pas artit dhe mësimdhënies, çdo fundvit Keti Bashhysa ngjitet në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Spektaklet e ideuara prej saj janë një udhëtim emocional ku ajo përcjell ndjenjat nëpërmjet tingujve dhe fjalës. Skena është si një magnet, që e tërheq që kur ishte e vogël dhe ndiqte pas të atin, aktorin e mirënjohur Hysen Bashhysa. Ndryshe nga ai zgjodhi muzikën, po rrugëtimi i saj artistik nuk ndalet vetëm tek violinçeli.
“Jam e uritur për disa dashuri, jo vetëm për violinçelin. Unë dashuroj skenën dhe çdokush që i futet rrugës së artit duhet të prekë skenën dhe ndaj herë pas herë ftoj dhe promovoj talente të vegjël, pasi është shumë punë dhe investim nga fëmijët. Lënë pasdore shumë gjëra nga fëmijëria dhe i përkushtohen instrumentit ndaj duhet të paktën të shpërblehet duke dhënë emocione dhe duke marrë emocione nga publiku.”
E lidhur fort me instrumentin, ajo kujton se mësimet e para i nisi për piano.
“Një ditë rastësisht më pa mësuesja e violinçelit Lida Radoja dhe më hoqi nga piano. U mërzita shumë se e doja pianon, por pastaj thashë Faleminderit Zot, që jam për violinçel. Është një marrëdhënie e bukur. I jap dhe më jep emocion.”
Aty ku mori mësimet e para, ushtron profesionin e mësueses duke përcjellë dijen dhe dashurinë për instrumentin. Po rruga drejt skenës nuk është aspak e lehtë.
“Instrumenti do shumë punë. Deri në njëfarë moshe është shumë ndikues prindi.”
Pavarësisht sfidave, ajo ka krijuar një harmoni të bukur mes dy botëve duke ndarë njohuritë me nxënësit dhe ndjekur pasionin për skenën, ndërsa i ati mbetet kritiku i saj më i mirë.
“Kritiku më i mirë, ai është, që i besoj më shumë. Ka goxha kritika deri në momentin e fundit që dal në skenë. Dhe më shtyn që të punoj më shumë. Ka gjithnjë më mirë, thotë. Dhe një këshillë që më jep është: Gjithnjë përkrahi talentet e rinj se këtë ka bërë dhe ai.”
Mësimdhënia i jep energji dhe frymëzim, ndërsa skena mundësinë ta ndajë këtë pasion me publikun e saj, duke e bërë artin të jetë jo vetëm një përvojë personale, por një dhuratë që mund të ndezë zemrat e gjithkujt në atmosferën e festave.
Top Channel