SPAK ka dërguar për gjykim 20 anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, së bashku me një ish-punonjës policie, të akuzuar si të përfshirë në trafikun e drogës drejt vendeve të BE-së.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit në bashkëpunim me Prokurorinë e Republikës pranë Gjykatës së Firences, dhe nën koordinimin e Eurojust dhe Europol kryen hetimet përkatëse, ku është dokumentuar aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga vendet e Lindjes së Mesme, Turqi, Greqi, Shqipëri me destinacion Italinë dhe vendet e tjera të BE-së.
Në përfundim të hetimeve janë akuzuar të pandehurit Endrit Bakiu, Sulo Pajo, Artur Sulaj, Arian Tola, Fadjon Cami, Viron Lekaj, Artan Agalliu, Shpëtim Pjeshka, Jani Çavo, Sonila Sula, Kudret Rustemaj, Besnik Ruçi, Pirro Capi, Jani Meçja, Edmond Kabashi, Tomi Hila, Leonard Nergjoni, Artin Kurti, Astrit Miska, Ervis Cilo, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, i pandehuri Mirash Gjoni, ish-punonjës policie ne Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër është akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ndërsa i pandehuri Besnik Ruçi, krahas veprave penale të mësipërme është akuzuar dhe për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione pubilke”.
Trafikimi është zhvilluar nga viti 2020 dhe në vazhdim, ndërsa gjatë hetimeve është sekuestruar drogë në Durrës, Tiranë, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Maqedoninë e Veriut, në Greqi dhe Itali, në tetë episode trafikimi të lëndëve narkotike të llojit kokaina, heroinë, marijuhanë, risinë, me një vlerë rreth 2 700 000 euro, si dhe automjete, pajisje kompjuterike, aparate celular dhe vlera monetare.
Dy ditë më parë Prokuroria e Posaçme ka përcjellë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq në ngarkim të 21 të pandehurve të mësipërm, me akuzat përkatëse. Ndërkohë është vendosur ndarja e çështjes për hetime të mëtejshme për fakte penale të tjera.
Top Channel