“Teherani organizoi sulm kundër një sinagoge”/ Irani thërret ambasadorin e Gjermanisë

20/12/2023 20:12

Ministria e Jashtme e Iranit ka thirrur në një takim ambasadorin gjerman në Teheran, për të protestuar kundër një vendimi, i cili e përfshiu Republikën Islamike në një komplot për ta sulmuar një sinagogë në Gjermani vitin e kaluar.

Ministria thirri ambasadorin Hans-Udo Muzel për t’i përcjellë protestën e Iranit ndaj vendimit të gjykatës shtetërore në Dyseldorf, e cila e dënoi një burrë gjermano-iranian me dy vjet e nëntë muaj burgim për tentim zjarrvënie.

Gjykata gjeti se 36-vjeçari e hodhi një mjet zjarrvënës në një shkollë në qytetin perëndimor, Bohum, në nëntor 2022, për shkak se sinagoga kishte qenë tepër e siguruar, raporton agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA.

I pandehuri mohoi se kishte synime për ta sulmuar sinagogën.

Gjykata gjeti, po ashtu, se një ish-anëtar i Hellas Angles, i cili kishte shkuar në Iran, e kishte angazhuar të pandehurin për ta kryer sulmin dhe se Irani qëndronte mbrapa tij.

“Plani për sulmin buroi nga një institucion shtetëror iranian”, sipas gjykatësve gjermanë.

Të martën, Ministria e Jashtme e Gjermanisë e thirri në takim të ngarkuarin e Iranit me punë në Berlin, për të diskutuar për këtë çështje, të cilën Teherani e ka cilësuar si “masë të papranueshme”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA