“Holland Crime Boulevard” ka publikuar një dokumentar lidhur me historinë e Thanas Bako, 52-vjeçarit nga Saranda, i arrestuar në Athinë për pastrim e parave të trafikantëve ndërkombëtarë të drogës.
Në dokumentar tregohet historia e 52-vjeçarit, i cili ka nisur lidhjet e tij me trafikantët që në vitet ’90, me marijuanën që kalonte nga Saranda në Greqi.
Edhe pse me asnjë precedent penal në Shqipëri e Greqi ku jetonte së fundmi, pas kthimit nga Kanadaja e Holanda, veprimtaria e tij u zbulua pikërisht nga hetimet e FBI e më pas policisë holandeze në bashkëpunim me Europol.
Sipas dokumentarit, Thanas Bako kishte krijuar prej 10 vitesh një rrjet korrierësh që transportonte para. Korrierët kryesisht ishin hidraulikë, marangozë dhe pastrues xhamash. Këta ishin njerëz jo të dyshimtë, gjithnjë në lëvizje që edhe nëse parkonin furgonat anës rrugës, askush nuk do të dyshonte, sepse do të mendonin se ishin aty për të kryer punën. Furgonat kishin vende të improvizuara ku fshiheshin paratë. Gjëja më e rëndësishme për Bakon ishte që këta persona mos të kishin rekorde kriminale, sepse policia mundet që përmes targës së makinën të identifikojë pronarin dhe precedentët e tij. Në dokumentar janë zbardhur edhe bisedat e Thanasit me klientët.
Klienti: “Kam një dërgesë për 2 milionë euro. Dua ti ndaj në 2 për siguri. 2 korrierë të ndryshëm, ata nuk mund ta dinë. Të dyja në të njëjtin vend. 12.00 1 makinë, 12.10 1 makinë”
Thanas Bako: “Do ta bëj diferencën 30 minuta, është më mirë. Njëri djalë nuk e kalon tjetrin. Njëri 12.00, tjetri 12.30. Dy makina. Kjo është për mua më e sigurt”.
Një vend i përafërt diskutohet dhe Thanasi dërgon dy korrierë aty. Vetëm minutën e fundit klienti tregon vendin e saktë ku do të merren paratë. Ishte një restorant i quajtur “Bruis” në Blaricum. Teksa njerëzit po hanin drekë, 1 milionë euro u transferuan dy herë në secilën nga makinat në parking. Një orë pasi u morën paratë, një nga korrierët i dërgon Thanasit mesazh:
Korrieri: “Përshëndetje shok, jam i sigurt, sapo arrita. Do t’i numëroj paratë tani”
Pas kësaj ai dërgon fotografi të parave she thotë se janë 1 milionë euro. Thanasi përgjigjet: “Faleminderit”. Mesazhet e tjera tregojnë përqindjen që ky korrier merr.
Thanas Bako: “0.2 % komision. Transporti me vlerë 1 milionë do të japi 2000 euro”.
Korrieri: “Është shumë mirë. Jam i vendosur të bëj më të mirën”.
Thanas: “Kjo është ajo që dua të dëgjoj”.
Shqiptari nga Saranda u arrestua më 31 maj në Athinë, ndërsa kishte pastruar për llogari të karteleve holandeze dhe amerikano jugore të drogës, plot 250 milion euro kesh vetëm brenda 10 muajve të fundit. Autoritet dyshojnë se ai është nyja lidhëse mes karteleve europianë të drogës dhe atyre me Amerikën Latine, ndërsa u kap nga holandezët. Organizata përdorte një aplikacion të Google të cilin ende nuk e kishin zbuluar grekët, ndërsa e kishin të regjistruar emrin e tij me 3 germa. Emri i Bakos është lakuar edhe në Shqipëri si anëtar i një prej organizatave më të mëdha të drogës në jug të vendit, por ndaj tij nuk pati prova për ngritje akuzash.
Top Channel