Enkelejd Alibeaj, përmes një raporti drejtuar Kuvendit, kërkon që të votohet në seancë plenare kërkesa për për dhënien e autorizimit, të kërkuar nga SPAK “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.
Në raportin e opozitës, renditen faktet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për Berishën, si i dyshuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, i cili nga hetimet rezulton se “ka kryer veprime aktive, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore në favor të tij”.
Pas kësaj, argumentohet kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-kryeministrit.
Sipas demokratit, nga analizimi i kushteve dhe kritereve të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, vërtetohet ekzistenca e një procedimi penal të ligjshëm.
“Nga analiza e kërkesës së prokurorisë, relacionit shoqërues të prokurorisë, përgjigjeve të prokurorëve në mbledhje të Këshillit për Imunitetit konstatohet pa asnjë dyshim ekzistenca e procedimit penal ndaj deputetit Sali Berisha. Ky procedim është regjistruar në vitin 2020, me numër 287 në SPAK. Përpos kësaj, nga ana e SPAK është proceduar më kërkesë drejtuar GJKKO, për caktimin e masave të arrestit. GJKKO (shkalla e parë dhe apeli) në përfundim kanë konfirmuar ndër të tjera qoftë ekzistencën e procedimit penal, e qoftë edhe vendosjen e masave të sigurimit të llojit shtrënguese (dy masa sigurimi). Rrjedhimisht, nxirret përfundimi se plotësohet kushti ligjor se ndaj deputetit Sali Berisha ekziston një procedim penal i rregullt nga pikëpamja e parimit të ligjshmërisë”.
Më tej, shkruhet se ekzistojnë edhe kushtet ligjore për arrestin.
“Nga analiza e kërkesës së prokurorisë, relacionit shoqërues të prokurorisë, përgjigjeve të prokurorëve në mbledhje të Këshillit për Imunitetin konstatohet pa asnjë dyshim se kërkesa e prokurorisë tregon qartë kushtet ligjore për veprimet e arrestit dhe të kontrollit, në përputhje me nenin 288 të K.Pr.Penale. Duhet saktësuar se SPAK në relacion, kërkon dhënien e autorizimit, për masën e arrestit/heqjes së lirisë, si zëvendësim, të dy masavë të mëparshmë të dhëna nga GJKKO, dhe jo si një masë e kërkuar në instancë të parë”.
Sipas Alibeajt, heqja e mandatit të deputetit, nuk e vë në rrezik funksionin demokratik të parlamentit, ndërsa shton se kërkesa për dhënie autorizimi (heqje imuniteti) është përshkruar në aktet e prokurorisë se bazohet në shkaqe të drejta, të rëndësishme dhe të sinqerta.
Nëse nuk jepet autorizimi, do të pengohet drejtësia, pretendon Alibeaj, pasi “ruajtja e imunitetit do të binte ndesh me parimin kushtetues të barazisë para ligjit”.
Njëkohësisht me këtë raport, sot u dorëzua në Kuvend edhe raporti i Partisë Socialiste, ku po ashtu i rekomandon Kuvendit, të pranojë kërkesën së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurisë.
Dy ditë më parë, Këshilli i Mandateve miratoi me 6 vota pro dhe asnjë kundër kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Përveç 5 votave të socialistëve, Alibeaj ishte i vetmi nga radhët e demokratëve që votoi pro kësaj kërkese.
Top Channel