I dyshuar për grabitjen me armë në Vlorë, kush është shqiptari që qëlloi tre të rinj grekë në Athinë

18/12/2023 11:12

Nardi Ismet Idrizi 37 vjeç është shpallur në kërkim nga autoriteteve greke si autor i dyshuar i plagosjes me armë të tre shtetasve grekë në vendin e quajtur Gazi të Athinës mëngjesin e së shtunës.

Sipas policisë greke, ai qëlloi me një pistoletë dhe plagosi rëndë një grup të rinjsh pas një sherri banal jashtë një lokali. Më herët policia arrestoi edhe mikun e tij Emiliano Jakupi, i cili ishte i pranishëm në automjet dhe ishte pikërisht shkaku që nisi sherri mes dy palëve.

Jakupi u tha agjentëve që e arrestuan se nuk kishte qëlluar mbi viktimat, çka duket edhe në videon e publikuar prej autoriteteve.

Emiliano Jakupi ka qenë i shpallur në kërkim edhe për një ngjarje tjetër të ndodhur 9 muaj më parë, atë të ekzekutimit të shtetasit shqiptar Pëllumb Islami  në vendin e quajtur Neo Iraklio.

Idrizi është deportuar dy herë nga Greqia dhe është rikthyer. Në 2012 ai ka qenë ndër të dyshuarit kryesorë të një grabitje të armatosur në Vlorë.

I njohur edhe si Fatbardh Idrizi, në gusht të 2012 ka grabitur 350 mije lekë në një karburant në Vlorë dhe ka hapur zjarr ndaj ndaj patrullës së policisë, ku ndodheshin policët Isuf Lamaj dhe Besnik Brahimaj.

Vëllai i tij, Leonard Idrizi ka qenë pjesë e bandës se Coles dhe është vrare. Pas vdekjes, ai ka marre emrin e të vëllait.

Sipas korrespondentit të Top Channel në Greqi Artur Bibe, në vitin 2022 është zbuluar se ky person ka përfituar ulje të paligjshme dënimi në burgun e Fierit gjatë vitit 2020, pasi Prokuroria hetoi një skemë shpërdorimi detyre në këtë burg

Policia greke e ka shpallur atë në kërkim në të gjitha pikat kufitare që lidhin vendin me vendet fqinje, njëkohësisht operacioni për kapjen e tij vazhdon edhe në zonën e Athinës.

Sipas policisë greke, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës mbas një sherri banal mes autorëve dhe viktimave. Fillimisht palët u konfliktuan për arsye banale dhe ishte një prej viktimave që goditi fillimisht me shpullë njërin prej autorëve dhe në vazhdim autori i dytë nxori një pistoletë dhe shtiu mbi grupin e të rinjve që po konfliktoheshin.

Plumbat goditën tre të rinjtë, dy prej të cilëve janë vëllezër. Ata janë në gjendje të rëndë në një spital të Athinës. Një kamerë sigurie ka fiksuar momentin e përleshjes ku duket momenti që autori qëllon mbi viktimat.

Top Channel